Rudina Dembacaj; Flying High
Nëse flasim për Rudinën, e kemi të vështirë përshkrimit. Duam ta nisim me Rudinën si aktore, por ajo vetë na kujton se detyra e saj e parë është mëmësia dhe familje. Duam ta përshkruajmë si businesswoman e suksesshme, por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe artisten që është një mbështetje për të gjitha kauzat sociale. Ka shumë për të rrëfyer, kaq shumë lajme të mira, kaq shumë projekte dhe dashuri që rrezaton rreth saj. Jo pa qëllim kjo kopertinë është mënyra e saj për t’i thënë Gëzuar të gjithëve atyre që e ndjekin, e duartrokasin dhe gjejnë tek Rudina Dembacaj, atë që çdo femër do të donte të kishte, këllqe!
Rudina Dembacaj, përvec se ‘sa yll që je’, çfarë i thua vetes kur del para pasqyrës?
O Zot, më ruaj mend e kokës, sa e bukur jam. (Qesh…) Në fakt, shihem, buzëqesh dhe falenderoj Zotin për shëndetin e familjes dhe bekimet që kam në jetë.
Si ka qenë rrugëtimi juaj mes karrierës, familjes dhe famës?
I vështirë, eksitues, i mrekullueshëm… Për karrierën mund të kalojmë ditë e netë dimri duke folur pasi kam jetuar ditë që janë dukur si vite, e të tjera sa një lindje dielli. Nuk ka karriera të lehta besoj, por talentin e ke ose jo. Jam krenare për rrugëtimin tim profesional. Edhe pse ka pasur sakrificat e veta të mbërrij këtu ku jam sot, kur kthej kokën prapa shoh një grua të pandalshme…
Rudina si aktore, showgirl, businesswoman, cili rol ju shkon më për shtat?
Të gjitha, i bëj me dashuri e përkushtim por mbi të gjitha mamanë. E para është Viktoria dhe familja. “Cormeum” ashtu siç ka dhe emrin është zemra ime dhe merr kohën më të konsiderueshme të ditës. Vrapoj shumë gjatë ditës se dua t’i bëj të gjitha e megjithatë nganjëherë duhet të ndaloj e t’i i përsëris vetes se i rëndësishëm është shëndeti. Do kisha dashur të bëja aktoren më shumë kohë sa i dedikoj aktualisht pasi është pasioni im, më emocionon, më rrit. Nuk jam nga ato që dorëzohem ndaj dhe projekti i radhës i dedikohet aktrimit.
Duket se Boeing Boeing është aktualisht shfaqja më e suksesshme në vendin tonë. Si është për Rudinën ky rol që është dashuruar nga të gjithë?
Teatri ishte ëndërr e madhe për mua. U bë e prekshme e suksesshme dhe nuk do dijë të ndalojë. Faleminderit Zotit që kam shans ta shijoj. Çfarë emocioni është teksa sheh që është publiku ai që e kërkon këtë shfaqje?Është njësoj si në fillim. E dashuroj publikun tonë. Mbaj mend çdo të qeshur me shpirt dhe çdo përsëritje batute që shumë prej publikut tonë i kanë mësuar përmendësh.
Cilën shfaqje të Boeing Boeing do të veçonit dhe pse?
Oh, e si mund t’i mbaj mend?! Janë pafund, 4 vite rresht, 188 shfaqje, pothuajse në të gjithë teatrot e Shqipërisë e Kosovës. Një magji…
Ndërkohë duket se keni të tjera projekte për Boeing Boeing, çfarë mund të na thoni?
Një film artistik!!! Unë dhe miqtë e mi, njeri më i “çmendur” se tjetri vendosëm të kemi një kujtim, t’i ofrojmë publikut një film të vërtetë, me metrazh të gjatë, cilësor dhe kinema të vërtetë. Në këtë projekt jam bashkë-producente gjë që e çon karrierën time në një tjetër nivel, pritshmëri të tjera ndaj vetes. Me pak fjalë unë nuk rri rehat.. (Qesh) Dionis Papadhimitri si regjisor me Papadhimitri Production si prodhues, Gentian Zenelaj, Amos Muji Zaharia, Alesia Xhemalaj, Rudina Dembacaj si aktore dhe surprizë… Ky super ekip po punon me komedinë romantike që do “thyeje” kinematë shqiptare.
Çfarë pret Rudina nga ky projekt?
Këtë që po marr, lumturi…
Ia keni dal më së miri të shndërroheni në femrën e fortë dhe njëkohësisht gazmore, por si është Rudina larg televizionit dhe rrjeteve sociale?
Për kë më njeh dhe më ka parë nga afër e di që jam njësoj si në rrjete sociale. E gëzuar, ekspresive, impulsive, e dashur, nevrike, edhe krejt e bukur.
Cila është pika juaj më e fortë dhe njëkohësisht më e dobta?
Nuk kam pika fare… (qesh) jam e ndërtuar me gurë malsie, e fortë për mua është mënyrë jetese.
Natyrisht që nuk do të kishte kuptim intervista pa cekur pak dhe Rudinën si çift, pasi ju dhe Marku jeni shndërruar në një nga çiftet më të dashur për publikun. E keni edhe ju këtë ndjesi kur jeni në publik?
Po! Kam kuptuar që lumturia përcillet shumë mirë, dhe pse nëpërmjet fotove apo videove. Nuk ka qenë rrugëtim i lehtë që kemi kaq stabilitet, por ka qenë i bukur, i larmishëm, kurrë i mërzitshëm. Njerëzit perceptojnë çdo gjë. Kot lodhen njerëzit e pavërtetë, bien shumë në sy.
E ke thenë shumë shpesh çfarë të josh nga Marku, por asnjëherë çfarë nuk të pëlqen tek ai…
Marku është shumë Mark që të mos ta pëlqesh. Është burrë ëndrrash dhe difektet të bën t’ja dashurosh.
Ndërkohë ju kemi parë të përfshira dhe në projekte sociale, cilat janë angazhimet tuaja në këtë aspekt?
Gjithmonë kam besuar se askush nuk është i lumtur veçmas shoqërisë që e rrethon ndaj me shpirt e çdo mundësi që kam ndihmoj e mbështes kryesisht gra të cilat ende përballen me shumë probleme e paragjykime. Vlerësoj shumë dëshirën dhe forcën e madhe që kanë për të punuar e jetuar.
Nëse bëjmë një rezyme për 2021 si ka qenë? Dhe çfarë pret Rudina nga 2022?
I gjithë viti që po lëmë pas do të jetë i shënjuar përjetë në zemrën time, ka qenë një vit fantastik me shumë projekte pune e jete. Datat 01.01.2021 dhe 1.11.2021 do të jenë të preferuarat tona në çdo vit në vijim të jetëve tona. Gjithashtu po vjen 5 vjetori i Vikit… Viti 2022 dashtë Zoti do të jetë i bekuar dhe plot shëndet e dashuri, të tjerat janë detyrat tona të përditshme të bëjmë më të mirën.