Nesër Itali-Spanjë, ja kë nxjerrin fituese statistikat
Itali-Spanjë është një klasike kur bëhet fjalë për Europianët, duke parë se përveç 37 precedentëve në historinë e tyre, kjo do të jetë përballja e shtatë në një kompeticion kontinental, madje për të katërtin Europian me radhë shorti i kanë vënë përballë njëra-tjetrës.
Hera e fundit ka qenë ajo në “Euro 2016”, sfidë e fazës së grupeve në të cilën Kielini dhe Pele vulosën fitoren 2-0, ndonëse e kaluara është më e hidhur për të kaltrit, si për shembull finalja e humbur në mënyrën më të keqe, 4-0 në “Euro 2012”.
Gjithsesi, çdo sfidë është një histori më vete, aq më shumë kundrejt kësaj Italie të çmendur dhe të frikshme që ka ndërtuar Roberto Mançini, e cila udhëton me një tjetër ritëm.
Në 37 ndeshje nën drejtimin e trajnerit nga Jesi, të kaltrit kanë jo vetëm një mesatare prej 2.46 pikësh për ndeshje, por në të njëjtën kohë shënojnë 2.43 gola për çdo 90 minuta. Këto shifra, por jo vetëm vënë jo pak në alarm Spanjën, e cila së bashku me Gjermaninë është “mbretëresha” e Europianëve, me nga 3 fitore secila.
Por, në pritje për të kuptuar se si do të përfundojë gjysmëfinalja e mbrëmjes së nesërme, ja çfarë thonë statistikat e duelit mes italianëve dhe spanjollëve.
– Italia e ka mundur Spanjën vetëm dy herë në 14 përballjet e fundit në të gjitha kompeticionet (7 barazime dhe 5 humbje): një fitore 2-1 në miqësoren e vitit 2011 dhe suksesi 2-0 në grupe në “Euro 2016”.
– Italia dhe Spanja janë përplasur 9 herë në turnetë e mëdha mes tyre (Europianë ose Botërorë) me të kaltrit që kanë fituar në 4 raste, Spanjë 1 herë dhe 4 barazime.
– Përplasja e mbrëmjes së nesërme do ta bëjë Itali-Spanjë ndeshjen me të luajtur mes dy kombëtareve europiane (10), në një prej turneve më të rëndësishëm ndërkombëtar (Europianë apo Botërorë).
– Kjo do të jetë hera e shtatë që Itali dhe Spanja do të ndeshen në një Europian, nga të cilat 4 janë në fazën me eliminim direkt. “Furia e Kuqe” festoi në vitin 2008 dhe në finalen e 2012-ës, ndërsa të kaltrit i eliminuan në “Euro 2016”.
– Italia është për herë të 12-të pjesë e gjysmëfinaleve të një turneu të madh ndërkombëtar (Europian apo Botëror). Vetëm Gjermania me 20 gjysmëfinale ka qenë më bindëse mes përfaqësueseve europiane. Të kaltrit kanë avancuar në finale në 9 nga 11 precedentë (në katër herët e fundit radhazi kanë qenë gjithmonë në finale), e fundit në “Euro 2012”, pikërisht përballë Spanjës ku u mposhtën 4-0.
– Italia i ka fituar të pesta ndeshjet e luajtura në “Euro 2020” dhe është skuadra e vetme mes katër të mbetura në garë që kanë pasur 100 për qind sukses. Vetëm në Kupën e Botës “Italia ’90”, të kaltrit kanë mundur të fitojnë më shumë ndeshje në një turne ndërkombëtar (gjashtë). Pas atij Botërori në gadishullin Apenin, kombëtarja e parë europiane që arriti të fitojë të gjashta ndeshjet që të çonin në finale ishte Holanda, konkretisht në Kupën e Botës 2010, në Afrikën e Jugut, por u mund në finale nga Spanja.
– Spanja ka arritur në gjysmëfinale e një Europiani për të tretën herë, në katër pjesëmarrjet e fundit (dështoi vetëm në 2016-ën, pasi e eliminoi Italia). Në të njëjtën kohë, në dy herët e fundit që kanë arritur deri në këtë pikë të turneut kanë arritur që të shkojnë në finale dhe madje të triumfojnë, siç ndodhi në 2008-ën dhe 2012-ën.
-Pasi ka humbur secilën nga 4 ndeshjet e luajtura në “Uembli” mes viteve 1955 dhe 1968, Spanja ka humbur vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit të luajtura në stadiumin londinez (2 fitore dhe 2 barazime). Gjithsesi, humbja e vetme ishte shumë e rëndë, në vitin 1996, me penallti ndaj Anglisë vendëse.
– Asnjë skuadër e këtij Europiani apo edhe e historisë së këtij turneu nuk ka përfituar më shumë sesa Spanja nga autogolat (tre). Dhe që të tre këta kanë ardhur pikërisht në këtë edicion.
– Lorenco Insinje ka qenë protagonist në 13 nga 15 golat e fundit të shënuar nga Italia, në të gjitha kompeticione (6 gola dhe 7 asiste). I fundit ishte pikërisht goli deciziv i të kaltërve ndaj Belgjikës, në suksesin 2-1.
– Dyshja spanjolle e përbërë nga Dani Olmo (16) dhe Xherard Moreno (15) ka goditur më shumë se kushdo tjetër portën rivale në “Euro 2020”, por pa gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës.