Ndalimi i abortit në SHBA, “The Handmaid’s Tale” në jetën reale
Ndryshimi i legjislacionit nga Gjykata Supreme në SHBA, e cila hoqi të drejtën e grave për të kryer një abort ka ndezur debate të mëdha.
Të paktën 26 shtete pritet të ndalojnë abortin pas vendimit të gjykatës. Të shumtë kanë qenë perosnalitetet që kanë ngritur zërin fuqishëm duke u shprehur të tronditur nga ky vendim.
Menjëherë pas këtij vendimi kanë vërshuar krahasimet me romanin e Margaret Atwood dhe serialin “The Handmaid’s Tale”.
Si seriali ashtu edhe romani ndodhin në republikën totalitare të Gileadit ose ish-SHBA. Në roman flitet për një diktaturë në të cilën jetët e grave, të njohura si shërbëtore, kufizohen në rolet shtëpiake dhe përdoren si “makina” për të bërë foshnja, për të lënë trashëgimtarë, pa kontroll mbi trupin e tyre.
Veshja tipike me rroba të kuqe nga seriali janë përdorur shpeshherë si simbol në protestat për të drejtat e grave.
“The Handmaid’s Tale”, bazuar në romanin e Margaret Atwood të vitit 1985 me të njëjtin emër tregon historinë e June/Offred, një shërbëtore në shoqërinë distopike të Gilead-it.
Gilead-i ka lindur në atë që dikur njihej si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë, përveç burrave të drejtë, të bardhë, të krishterë nënshtrohen, vriten drejtpërdrejt nga qeveria ose asgjësohen me transport në “koloni”, një shkretëtirë toksike ku njerëzit vdesin ngadalë. Shërbëtoret janë objekte të burrave të klasës së lartë, për t’u përdorur ekskluzivisht për pjellorinë e tyre. Në këtë periudhë të pasigurt për të ardhmen e njerëzimit ky serial nuk duket dhe aq larg realitetit.