Rrëfehet djali i Hashim Thaçit: Çdo natë imagjinoj një hero që kthehet në tokën e tij!
Grida Duma, që tashmë e ka hedhur pas krahëve politikën aktive, por që është autore dhe moderatore e programit kryesor te aktualitetit politik në Top Channel, ka nisur në kanalin e saj zyrtar në Youtube një podcast, ku do të bashkëbisedojë me personazhe të ndryshëm për të ndarë historitë e tyre.
I ftuari i episodit të parë ka qenë Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Gjatë bisedës u prekën disa tema të rëndësishme, që nga Kosova, dëshira e madhe për liri për të atin, por edhe çështjet personale të zemrës së Endritit dhe marrëdhënia me mamanë.
“Diskutojmë për tema të ndryshme, për aktivitetet e tij ditore, për librat që lexon. Momenti më i vështirë është kur mbaron takimi, dhe ne duhet ta lëmë brenda. Dhimbje tepër e madhe.” – u shpreh Endriti, referuar takimeve me të atin, të cilin e viziton çdo muaj pasi u janë lejuar deri në 3 takime në muaj.
Më tej, i pyetur nga Grida Duma për momentin e kthimit të Hashim Thaçit, Endriti u shpreh se e imagjinon çdo ditë.
“Sa herë që shkoj për të fjetur apo kur çohem në mëngjes, e imagjinoj kthimin e babait. Imagjinoj një hero që kthehet në tokën e tij, në shtetin që e ka shpallur të pavarur dhe sovran.” – rrëfeu ai, pasi ishte vetëm 21 vjeç kur i ati u ndalua në Hagë bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së, me akuza që lidhen me luftën në Kosovë kundrejt forcave serbe.
Në këtë rrëfim të ndjerë kishte vend edhe për çështjet e zemrës, me drejtuesen e podcastit që e pyeti Endritin për dashurinë
“Ende nuk kam rënë në dashuri, por kur të bie fillimisht do të flas me nënën. Edhe me babin unë flas për gjithçka, por meqe ai është në Hagë, më duhet të flas fillimisht me nënën. Por babin e kam shokun më të mirë dhe flasim për gjithçka, i tregoj gjithçka. Babin e kam si shok, nënën e kam si shoqe.” – tha ndër të tjera djali i Hashim Thaçit.
