Oriola Marashi kërkon ndjesë publike pasi përdori fjalën diskriminuese ndaj komunitetit rom
Modelja e njohur shqiptare Oriola Marashi është detyruar të kërkojë ndjesë publike pas një videoje që kishte postuar më herët në rrjetet sociale, të cilën më pas e fshiu. Në video, ajo kishte përdorur fjalën “gabi”, pa e ditur se ajo në fakt konsiderohet ofenduese për komunitetin rom në Shqipëri.
Pas reagimeve të shumta nga ndjekësit, Oriola vendosi të heqë videon dhe të sqarojë në një “story” në profilin e saj në Instagram, se qëllimi i saj nuk ishte aspak për të ofenduar.
“Në një video që kam postuar më herët, përdora pa dashje një fjalë që nuk e dija se ishte ofenduese për komunitetin rom. E kam hequr videon dhe dua të kërkoj ndjesë nëse dikush është ndjerë i lënduar. Kam respekt të madh për çdo kulturë dhe komunitet në vendin tim.” – ka shkruar modelja, mbi një foto marrë nga videoja që tashmë nuk është më.
Oriola mund të ketë reflektuar për veprimin e saj nga komentet e shumë njerëzve, por ai që ra më shumë në sy ishte komenti nga Dr. Kaim Hadroj, që prezanton veten pedagog i studimeve të Romologjisë në universitetin “Bielefeld” në Gjermani. Duke i arsyetuar asaj pse përdorimi i fjalës “gabi” është diskriminues dhe nxit diskriminimin sipas ligjit shqiptar, ai i kërkoi modeles të fshinte videon dhe të kërkonte ndjesë.
“Fjala ‘gabi’ është diskriminuese për minoritetin rom në Shqipëri. Ligjërisht, videoja juaj mund të cilësohet si promovim i diskriminimit. Ju kërkoj me mirësi ta hiqni dhe t’i kërkoni ndjesë komunitetit rom,” – shkroi Dr. Hadroj.
Mesa duket, Oriola e ka marrë parasysh këtë reagim, pasi menjëherë pas komenteve ajo e fshiu videon dhe publikoi kërkesën e saj për falje.
Ndonëse mesazhi i Dr. Hadroj mund të duket edhe si një “kërcënim” për masa ligjore ndaj modeles, ai ka shërbyer për informimin e kujtdo që ka lexuar mesazhin e tij Reagimi i Oriolës gjithësesi është pritur pozitivisht nga ndjekësit, të cilët e vlerësuan për gatishmërinë për të reflektuar dhe për të treguar respekt ndaj çdo komuniteti në vend.
