Sorry, no posts matched your criteria.

Olsa Muhameti; ‘Vula’ e sukseseve

Përputhen është shndërruar padyshim në fenomenin televiziv të momentit. Një format që ka bërë për vete të madh e të vogël, duke pasur në fokus dashurinë në një format realit. Por pak e njohin Olsën, njeriun që ngriti në këmbë këtë perandori televizive. Autorja e Përputhen vjen në këtë intervistë si asnjëherë më parë, duke zbuluar anën tjetër të këtij formati. Lodhjet, sfidat, këndvështrimin e saj si autore, por edhe marrëdhëniet e ndërtuara. Megjithatë ky nuk është i pari projekt që i solli famën Olsës. Për të mund të themi se është rritur në ekran, duke provuar disa projekte, që sot mbajnë vulën e suksesit. Tashmë për Olsën është gati të nisë një sfidë e re, “Përputhen 40”, një tjetër format dashurie, me pjesëmarrës mbi 40 vjeç. Ne s’na mbetet gjë tjetër veç se të presim për një tjetër spektakël që do të ndryshojë historinë e televizioneve shqiptare, ashtu si vetëm Olsa Muhameti di të bëjë…

Olsa si autorja e një prej programeve më të ndjekura në vendin tonë, profesionalisht si ndjeheni për këtë fakt?

Kur nis një projekt të ri, sado që kë pritshmëri, apo ke bërë analiza, rezultati është gjithmonë surprizë. Unë jam një person, që nuk më pëlqen të flas, dua të jetë puna ajo që e bën. Gjithmonë para një projekti kam emocione, humbas kile, madje rri dhe netë pa gjumë, sado e sigurt të jem në atë që po bëj, kjo besoj lidhet me përgjegjshmërinë. Kështu ka ndodhur edhe me “Përputhen”, nuk e kisha menduar se programi që po nisja do të kthehej në fenomenin e momentit. Ndjehem padyshim e lumtur, e surprizuar, krenare, e mbushur, mendoj që puna dhe sakrificat po më shpërblehen.

Si e sheh me sytë e autores “Përputhen”?
E shoh si një sferë sa magjike aq edhe të brishtë. Duhet të kesh shumë kujdes, si e trajton, si e kthen, si e lëviz sepse magjia rrezikon të shkatërrohet nëse ti për një çast nuk je e vëmendshme dhe e kris këtë sferë. Mua “Përputhen” më jep sadisfakson, kujdesem për të po aq sa për veten time. Është një program, marrëdhënia me të cilin është dashuri-urretje.

Pse mendoni se sot jeni ndër më të klikuarit dhe më të ndjekurit si format, çfarë iu diferencon?

Përputhen është program i drejtperdrejt, pa filtra nuk kërkon të duket diçka që nuk është, ne jemi origjinal, duke dashur të mos transmetojmë produkt “fals”, por ajo që jemi ne shoqëria shqiptare. Në “Përputhen” gjen copëza të jetës së përditshme. Mendoj se ky format është kaq i suksesshëm edhe pse erdhi si risi në valën  e njëjtë të formateve televizive, të cilat kanë si bosht talk shoë, të ftuar VIP dhe intervista.

Na zbulo pak më shumë për punën tuaj të përditshme, sa sfiduese, lodhëse është?

Kam kuptuar diçka, që unë jam një motor që fikem nëse nuk kam vështirësi, sfida dhe shumë punë në përditshmërinë time. Më pëlqen ngarkesa, më pëlqen angazhimi, madje edhe orët e gjata në punë. E kam kuptuar që lidhja që kam me punën ndryshon nga të tjerët, ky është edhe faktori themelor në suksesin e programeve të mia. Sa duket unë nuk punoj, por thjesht zhvilloj pasionin  tim duke realizuar kështu ëndrrat e mia.

Për Olsën, sa e ka rritur profesionalisht “Përputhen”?

Ju thoni sa më ka rritur profesionalisht “Përputhen”, por unë kam një të shkuar që ka qenë promotori i asaj që unë jam sot. Pushime on Top, ka qenë programi i parë që më mësoi se çdo te thotë të drejtosh një produksion. Më pas erdhi një patent, ku kryesoja një program të vështirë siç ishte Hell’s Kitchen. Pastaj Shqipëria Live, që padyshim është dashuria ime e pakushtëzuar, ku sprovova veten në fushën e aktualitetit dhe lajmit të fundit, analizës, kronikës, por edhe historive të verdha. Unë nuk kam punuar kurrë në një departament informacioni dhe të isha në krye të një projekti që shkonte live 120 minuta në ditë, ishte sfidë nga më të mëdhatë që më ka rritur profesionalisht. Nëse ti përballon transmetimin live, je e zonja të bësh gjithçka (qesh). Pra i rashë pak gjatë për të thënë, që profili im është rritur nga një sërë projektesh që më janë besuar dhe kam drejtuar, nga bashkëpunimi me kolege profesionistë, nga mbështetja që Top Channel, etj.

Ju në fakt e masni audiencën me klikime, a është e saktë kjo mënyrë?

Sigurisht qe po! Kjo është mënyra më e re e matjes së audiencës sa kohë në Shqipëri nuk ka një matës të saktë dhe të besueshëm! Ka qenë Top Channel i pari, me nismë të drejtorit të Përgjithshëm, që po ndryshon këtë koncept në televizionet shqiptare! Sot You Tube po kthehet në matësin më të besuar, në këtë platformë Top Channel ka një audiencë tre herë më të lartë se çdo televizion tjetër!

Per’puthen +40, çfarë do të thotë për ty ky projekt?

Jam shumë entuziaste! Mendoj se ky projekt do thyej çdo barrierë njëherë e mirë në tv shqiptare përsa i takon dashurisë në ekran! Jam shumë e kënaqur që kemi dy zonja mbi 60 vjeç, që do të vinë për të gjetur partnerin e jetës! Çfarë nuk pritet të ndodh aty! Dhe pak e nisim!

Si gjendet dashuria në sytë e miliona shqiptarëve?

Paksa e vështirë duket në fillim, pastaj ata të rinj përshtaten dhe lirohen, ajo studio kthehet në kafenenë e tyre të preferuar, ndaj janë aq të lirë dhe shprehin çdo emocion pa doreza, ndonjëherë dhe më shumë seç duhet. Të pëlqesh, të xhelozosh, të ndahesh, të puthesh në sytë e një publiku, që është larg teje vetëm përmes një komenti është presion shumë i madh, sa hera-herës personazhet e kanë të vështirë ta përballojnë psikologjikisht.

Kush është Olsa pas punës me Përputhen, si vijon jeta juaj, angazhimet, pasionet?

Unë i pëlqej shumë udhëtimet. Koha e pandemisë na i ka kushtëzuar  ato, por Shqipëria është shumë e bukur dhe kam zbuluar këto kohë vende që nuk kisha qenë asnjëherë. Ka nisur të më pëlqejë natyra. Kinemaja është një tjetër pasion imi edhe ky i kushtëzuar nga pandemia, më ka munguar.

Ku e shihni veten pas këtij projekti, keni diçka tjetër në mendje?

Po kam shumë ide në mendje, aktualisht po zhvillojmë një projekt, që sërish do të jetë risi në fushën e televizionit. Sapo kemi nisur ta zbatojmë dhe jam shumë e emocionuar, shpresoj do ta lançojmë së shpejti nëse planet shkojnë siç i kemi parashikuar.

E keni menduar ndonjëherë veten tuaj në ekran, si moderatore?

Unë e kam bërë moderatoren e emisionit të mëngjesit në Tv Koha 10 vite të shkuara, kam provuar të prezantoj edhe në Edicionin Veror, por mendoj se nuk më pëlqen të jem moderatore, madje as ekrani s’më ka joshur. Gjithmonë më thonë pse nuk del, pse nuk shfaqesh, por s’më ka pëlqyer. Unë mendoj se të jesh moderatore të kushtëzon të bësh televizion, adrenalina e vërtetë është të prodhosh, besoj aty do mbetem edhe pse është herët për të dhënë përfundime. 

Si e vlerësoni sot televizionin me sytë e një profesionisteje?

Televizioni është një dinamikë gjithmonë në zhvillim dhe ndryshim, si i tillë lufta për sukses dhe mbijetesë është e madhe referuar një tregu që po dominohet nga You Tube, rrjetet sociale apo portalet. Sot sfida është më e madhe, ne nuk duhet të prodhojmë një produkt që pëlqehet vetëm në tv, por duhet medoemos të jetë një format që preferohet njëherazi edhe nga audience online, dhe ajo e portaleve, që duan një produkt që nuk i lodh, konçiz dhe argëtues. Në këtë këndvështrim mendoj se sfida është e madhe për të ruajtur etikën, por edhe për të joshur publikun, që të ndjek. Telekomanda është instrument i thjeshtë në dorën e gjithkujt, ndaj lufta për audiencë është e ashpër dhe sa vjen e bëhet më shumë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com