Sorry, no posts matched your criteria.

“Bosi” turk i kriptomonedhave që u kap në Shqipëri, gjendet i vdekur në burgun e Tekirdagit

Faruk Fatih Özer, themeluesi i bursës së kriptomonedhave “Thodex”, i njohur si “bosi” turk i kriptomonedhave dhe që u arrestua në Shqipëri pas arratisjes nga Turqia, është gjetur i vdekur sot në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Tekirdağ të Turqisë.

Sipas raportimeve nga mediat turke, trupi i 30-vjeçarit u gjet i varur me një çarçaf në banjën e qelisë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor, ai nuk mundi të shpëtohej. Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për rrethanat e ngjarjes, ndërsa trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Burime zyrtare kanë bërë të ditur se Özer merrte mbështetje të rregullt psikologjike gjatë qëndrimit në burg. Ai qëndronte i vetëm në dhomë dhe dyshohet se aktin fatal e ka kryer pas orës 20:00, pasi rojet kryen numërimin e mbrëmjes. Trupi i tij u zbulua në orët e para të mëngjesit.

Kujtojmë se Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia në vitin 2021, pas kolapsit të platformës së tij të tregtimit të kriptomonedhave “Thodex”, e cila kishte rreth 400 mijë përdorues aktivë. Ai u arrestua në Shqipëri në një nga plazhet e jugut të vendit, më 30 gusht 2022. Më pas, Özer u ekstradua në Turqi më 20 prill 2023 duke u dënuar atje me 11 vite e 6 muaj burg për “krijim, menaxhim dhe anëtarësim në një organizatë”, “mashtrim të kualifikuar” dhe “pastrim pasurie”.

Sipas aktakuzës, kompania e Özer kishte bllokuar tërheqjet e fondeve të përdoruesve për 7 ditë përpara se faqja e “Thodex” të mbyllej plotësisht. Prokuroria e Stambollit e akuzoi atë për mashtrim të kualifikuar dhe pastrim parash, duke vlerësuar se dëmi ndaj investitorëve arrinte në miliona dollarë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com