Barack Obama “lë me gojë hapur” veteranët e luftës, duke i surprizuar në avion
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka përshëndetur në formë surprizuese disa veteranë që po fluturonin me avion, në Ditën e Veteranëve të Luftës.
“Përshëndetje të gjithëve!” – është dëgjuar zëri i 64-vjeçarit sapo të gjithë udhëtarët janë ulur në vendet e tyre, duke marrë reagimin e veçantë në fytyrat e surprizuara.
“Teksa jemi në Ditën e Veteranëve, doja t’ju falenderoja ju dhe familjet tuaja për shërbimin e jashtëzakonshëm. Sakrificat që keni bërë për të mbrojtur vendin tonë janë diçka që do të nderohet përgjithmonë” – është shprehur Obama në mikrofonin e avionit.
Veteranëve që ishin pjesë e grupit iu bë një tur në Washington, për të parë monumentet e ndërtuara në nder të periudhave që ata kanë shërbyer në ushtrinë amerikane. Kjo realizohet nga “The Honor Flight Network”, një organizatë jofitimprurëse e cila u mundëson veteranëve këto lloj udhëtimesh, pa pagesë.
Obama bashkëbisedoi me ta edhe për Luftën e Dytë Botërore, luftën në Kore dhe atë në Vietnam.
“Është e mrekullueshme. Kjo është hera ime e parë që shoh nga afër një President. Një lider që shfaqet dhe njeh shërbimin tënd si të rëndësishëm, bën një gjest shumë të madh.” – u shpreh Kapitene Mary Quigley, një ish-marinse që udhëhoqi turin.
Një tjetër veteran prezent i tha Obamas, presidentit të 44-t të SHBA-ve se presidenti i fundit dhe i vetëm që kishte takuar para tij ishte Gerald Ford, rreth 45 vite më parë.
“M’u mbushën sytë me lot! Nuk mund ta besoja që u mblodhën aq shumë njerëz që u kujtuan për ne dhe na përshëndetën. Kjo do të thotë shumë, pasi para shumë vitesh mund të ndodhte edhe që të brohorisnin kundër nesh kur zbrisnim nga avioni.” – u shpreh Greg Adkins, një tjetër veteran pjesë e turit.
Një gjest simbolik ky i ish-presidentit Obama, që mesa duket ka surprizuar për mirë të gjithë ata që kanë shërbyer në ushtrinë amerikane, të cilët e kanë vlerësuar shumë, si diçka të rëndësishme për sakrificat e tyre në shërbim të atdheut.