Sorry, no posts matched your criteria.

Zëri që udhëheq me zemër: Merve dhe misioni i saj për jetën…

Kur Merve Akinoglu mbërriti për herë të parë në Tiranë, kishte me vete më shumë pyetje sesa përgjigje. Një valixhe plot përvojë profesionale, dy fëmijë që mbanin dorën e saj me besim dhe një zemër të hapur për të kuptuar një kulturë të re. Nuk e dinte ende se kjo tokë e panjohur do të bëhej një shtëpi e dytë jo vetëm për të, por për shumë të tjerë që ajo do të ndihmonte në rrugëtimin drejt shëndetit.

Sot pas katër vitesh, Merve është menaxhere për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në “Anadolu Medical Center – Johns Hopkins Medicine”. Por përtej titullit, ajo është një ndërlidhëse mes jetës dhe shpresës, mes teknologjisë mjekësore dhe prekjes njerëzore. Çdo pacient që takon është një histori më vete dhe Merve nuk sheh “raste” por njerëz.

Në këtë rrëfim ekskluziv për Global Woman, Merve ndan me ne sfidat, zgjedhjet dhe dashurinë që e kanë udhëhequr në një karrierë ndërkombëtare ku profesionalizmi dhe ndjeshmëria shkojnë krah për krah. Është një histori për të gjitha gratë që guxojnë të ndjekin rrugën e tyre, edhe kur ajo nuk është e shtruar.

1. A mund të na tregoni për rrugëtimin tuaj personal dhe profesional deri në pozicionin tuaj aktual si Menaxhere për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë në “Anadolu Medical Center – Johns Hopkins Medicine”?

Rrugëtimi im profesional është formësuar nga pasioni im për komunikim efektiv me njerëzit dhe dëshira për të pasur një ndikim pozitiv në jetët e tyre. Kam studiuar dhe punuar për shumë vite në fushën e komunikimit korporativ. Gjatë kësaj kohe kuptova rëndësinë e ndërtimit të besimit dhe transparencës, vlera që më shoqërojnë ende sot. Kalimi im në sektorin e shëndetësisë dhe turizmit mjekësor ishte një hap natyral. Sot jam menaxhere për Shqipërinë , Kosovën dhe Maqedonin në Anadolu Medical Center – Johns Hopkins Medicine dhe ky është një privilegj i madh për mua. Punoj me një ekip multidisiplinar profesionistësh dhe çdo trajtim nuk është vetëm një proçedurë mjekësore, por një përvojë njerëzore që vendos pacientin në qendër. Kjo më jep një ndjesi të thellë përmbushjeje, sepse çdo pacient që ndihmojmë për të gjetur shërim është një jetë që rifiton shëndetin.

2. Si e morët vendimin për t’u vendosur në Shqipëri dhe çfarë ju ndihmoi të ndërtoni “rrënjë” këtu?

Kur erdha për herë të parë në Tiranë, çdo ditë përpiqesha të njihja qytetin dhe njerëzit e tij me sytë e një të huaje të etur për të kuptuar. Kisha një pyetje në mendje: “Çfarë mund të bëj për t’u bërë pjesë e kësaj kulture?!” Duke qenë një person që ka dëshirë të ndihmojë të tjerët, kuptova se të kontribuoja në sektorin e shëndetësisë ishte mënyra më natyrale për ta bërë këtë. E zbulova këtë sektor ndërsa përpiqesha të ndihmoja njerëz në nevojë. Me kalimin e kohës, Shqipëria u bë jo vetëm një ndalesë profesionale, por edhe një shtëpi emocionale dhe kulturore për mua. Fillimet nuk ishin të lehta, jetoja vetëm me fëmijët e mi sepse bashkëshorti ishte në një qytet tjetër dhe kisha vështirësi të shprehesha në shqip. Çdo mëngjes i çoja në shkollë dhe më pas vizitoja spitale të ndryshme, kërkoja informacione, njihja njerëz të rinj. Nuk ishte një rrugëtim i lehtë, por me kalimin e kohës arrita të kuptoj dhe të kontribuoj në këtë vend. Ajo që më mban ende këtu janë lidhjet e forta njerëzore dhe besimi që më është dhënë. Shqipëria është një vend me zemër të madhe dhe unë këtu nuk jam vetëm një profesioniste, por një njeri që dëshiron të lërë një gjurmë pozitive në shoqëri.

3. Çfarë përfaqëson për ju puna në sektorin e turizmit mjekësor? Si e përkufizoni qasjen tuaj personale?

Ky sektor është i përkryer për dikë si unë që punon me zemër dhe me fokus te njeriu. Nuk kemi orar pune të zakonshëm, pacientët mund të na kontaktojnë në çdo moment dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Por kur një pacient gjen mundësinë për t’u kuruar dhe shërohet, gjithë lodhja harrohet. Për mua, kjo punë nuk është vetëm një profesion, por një mision që i jep kuptim jetës.

Edhe pse turizmi mjekësor është një industri globale, dua të theksoj se nuk është një fushë që mund të përballohet vetëm me synime financiare. Si nënë dhe si profesioniste, jeta e njeriut është gjëja më e çmuar për mua. Çdo pacient që na kontakton është i veçantë për mua. Fakti që punoj në një institucion me qasje njerëzore e bën këtë mision edhe më të fuqishëm.

4. Prej katër vitesh jeni pjesë e këtij sektori. Si ka evoluar turizmi mjekësor në Shqipëri dhe në rajon? Çfarë ju dallon ju?

Turizmi mjekësor në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri, ka njohur një zhvillim të rëndësishëm vitet e fundit. Cilësia dhe profesionalizmi janë rritur ndjeshëm. Pacientët janë më të informuar; ata kërkojnë jo vetëm teknologji moderne, por edhe përkujdesje të personalizuar. Ajo që na dallon si “Anadolu Medical Center” është eksperienca ndërkombëtare dhe qasja jonë multidisiplinare. Partneriteti ynë me “Johns Hopkins Medicine” na mundëson të ofrojmë trajtime me ekspertizë të nivelit më të lartë, gjithmonë duke ndjekur parime etike. Nuk e shohim pacientin si një rast klinik, por si një qenie të plotë dhe ky është dallimi më i madh që na karakterizon.

5. Çfarë vështirësish keni përjetuar si grua në një pozicion drejtues në një sektor ndërkombëtar si ai i shëndetësisë?

Të jesh grua në një pozicion drejtues shpeshherë do të thotë të përballesh me pritshmëri të dyfishta, të jesh e fortë, por edhe e ndjeshme, e përkushtuar por edhe e ekuilibruar. Sfida më e madhe ka qenë të dëshmoj se kompetenca nuk ka gjini. Ajo vjen nga njohuritë, empatia dhe përkushtimi. Turizmi mjekësor është një fushë dinamike dhe ndërkulturore. Kam mësuar të komunikoj me fleksibilitet dhe respekt, duke ruajtur qartësinë e vizionit dhe fuqinë për të marrë vendime. Kam hasur paragjykime, por besimi në vetvete dhe mbështetja nga ata që besojnë në barazi më kanë dhënë forcë të vazhdoj.

6. Si ju ka ndihmuar pozicioni ndërkombëtar për të kapërcyer barrierat kulturore apo për të sfiduar stereotipet në biznes?

Një pozicion ndërkombëtar më ka dhënë jo vetëm një zë më të fuqishëm, por edhe mjetet për të ndryshuar perceptime. Kur një grua përfaqëson një institucion si Johns Hopkins, ajo përfaqëson më shumë se veten por bëhet simbol i meritës, barazisë dhe profesionalizmit. Kjo më ka mundësuar të ndërtoj ura mes kulturave, të fitoj besimin e komuniteteve dhe të frymëzoj gra të tjera të besojnë në mundësitë e tyre. Çdo projekt, çdo takim, është një mundësi për të hapur një rrugë të re dhe për të thyer barrierat që shpeshherë janë të padukshme.

7. A keni pasur gra që ju kanë frymëzuar gjatë karrierës suaj? Çfarë mesazhi do t’u jepnit vajzave dhe grave të reja që ëndërrojnë një karrierë ndërkombëtare?

Po, gjatë jetës sime personale dhe profesionale kam pasur shumë gra frymëzuese. Ato kishin një tipar të përbashkët, qëndresë përballë vështirësive dhe përulësi në sukses. Mesazhi im për vajzat dhe gratë që ëndërrojnë një karrierë ndërkombëtare është ky: Mos kini frikë të jeni ndryshe. Mos kini frikë të gaboni. Mos kini frikë të kërkoni më shumë. Investoni në dije, ndërtoni rrjetin tuaj dhe mos harroni kurrë profesionalizmi nuk përjashton ndjeshmërinë, përkundrazi e pasuron atë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com