Vedat Ademi: Nuk bëhem kurrë amerikan, por për të ardhmen e fëmijëve duhet të rri në SHBA
Vedat Ademi, këngëtari shumë i dashur për publikun shqiptar, por që thuajse prej një dekade është shpërngulur me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është rrëfyer në një bashkbisedim me Dalina Buzin në podcastin e saj.
Ai për shkak të punës është i detyruar që një pjesë të mirë të vitit ta kalojë në Shqipëri, ndërkohë që në pjesën tjetër të qëndrojë pranë familjes. Së fundmi ai ka ardhur në Tiranë jo vetëm për netët me muzikën live, prej së cilave janë dashuruar shumë fansa me të, por sepse është pjesëmarrës në Festivalin e 64-t të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, me këngën “Kur fjala mbaron”.
Pikërisht për bisedën Shqipëri-SHBA, Vedati u shpreh se është shpesh objekt i bisedave me bashkëshorten, ku mendimi i kthimit në vendin e tyre është “vendimi përfundimtar”, por pa një bindje të plotë, duke menduar se janë fëmijët në mes.
“Në Shqipëri kaloj gjysmën e vitit, por kur kaloj periudha të gjata lodhem pak. Jam pak i dyzuar, por në bisedat tona të shpeshta themi se do të kthehemi.” – u shpreh këngëtari i hitit “Koha s’kthehet”.
Por kur Dalina Buzi e pyeti Vedatin nëse Shqipëria do të ishte vendi i duhur për 2 fëmijët e tij, Jonin dhe Erenikun, ai hezitoi të jepte një përgjigje pozitive.
“Jo. E kam të vështirë ta them, por jo. Në kohën që po jetojmë është goxha e vështirë për fëmijët. Dhuna është goxha e pranishme. Nëse flasim me dëshirën se a dua unë të kthehem, mua shpirti më fle këtu. Unë s’mund të bëhem kurrë as amerikan e as gjerman, por për të ardhmen e fëmijëve, në SHBA është fokusi.” – tha këngëtari.
Ai gjithashtu është shprehur se jetesa në Amerikë i pëlqen, gjen kohë të reflektojë me veten, të mendojë për muzikën ndërkohë që pret fëmijët e tij për t’i shoqëruar në sportet që ata ndjekin dhe për t’u argëtuar bashkë. Një moment tjetër interesant i intervistës ka qenë edhe ai kur Dalina Buzi e ka pyetur atë për muzikën e ditëve të sotme në Shqipëri. Sipas tij ka krijime të bukura dhe artistë të mirë, por në përgjithësi në këngët shqiptare mungon fabula e vërtetë dhe shpesh artistët përsërisin veten dhe njëri-tjetrin.