Sorry, no posts matched your criteria.

Video me “mafia” e modeling në zyrë, kryegjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani, nën hetim nga ILD

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka vënë nën hetim kryegjyqtaren e Elbasanit pas publikimit të disa videove ku ajo shfaqet në shkelje të etikës së godinës së drejtësisë. Në një profil në rrjetin TikTok, Enkeleda Kapedani, shfaqet duke bërë sfiladë në ambientet e gjykatës, ndërsa në zyrë dëgjonte këngë për mafian. Por në një reagim, ajo thotë se videot ja kanë publikuar për ta përbaltur.

“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten Enkeleda Kapedani, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”.

Në njërën nga videot e Kryegjyqtares që duhet të dënojë çdo veprimtari kriminale, madje dëgjohet një këngë për mafien.

Në video të tjera, magjistratja Kapedani reklamon veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë.

E kontaktuar nga Ora News, gjyqtarja Kapedani nuk pranoi të komentojë nisjen e hetimit, por sa i takon videove pretendohej se ia kanë vjedhur dhe publikuar në rrjetet sociale për ta përbaltur.

“Nuk kam profil në aplikacionin TikTok. E gjitha është e inskenuar dhe e qëllimshme për të përbaltur figurën time. Për hetimin e ILD nuk kam asnjë koment”.

Në një reagim të dytë, kryegjyqtarja e Elbasanit thotë se nuk ndihet krenare për videot, ndërsa përforcon qëndrimin se po përballet me një sulm ndaj do të presë me qetësi verifikimet.

“As si individ, as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nënë. Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjerë keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot”.

E ashpër në reagim ishte Ministrja e Drejtësisë, e cila thotë se kryetarja e gjykatës së Ebasanit ka turpëruar sistemin.

“Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda! Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal.”

Enkeleda Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.

Në dhjetor 2019, ajo ishte në qendër të vëmendjes pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait në Vlorë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com