Sorry, no posts matched your criteria.

“Shegë Beqiri: Gruaja që kthen sfidat në forcë”

Në një realitet ku sfidat për gratë në lidership janë ende të shumta, Shegë Beqiri spikat si një shembull i gjallë i guximit, vendosmërisë dhe përkushtimit. E njohur për angazhimin e saj të palodhur në politikën lokale dhe në fushën e administrimit publik, Shega ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në një industri tradicionalisht të dominuar nga burrat. Si Drejtoreshë e Administratës së Kujtesës dhe Këshilltare Bashkie në Prishtinë, por edhe Ambasadore e “Women Club Diaspora”, ajo përfaqëson një model të ri të udhëheqjes: një lidership të bazuar në vlera, empati dhe integritet. Rruga e saj është e mbushur me sfida, por edhe me fitore kuptimplota që i japin zë një brezi të ri të grave që guxojnë të ndërtojnë ndryshim. Për Shegën, çdo titull është mjet për të shërbyer, por ajo që e përcakton më shumë është forca për të frymëzuar dhe për të lënë gjurmë që tejkalojnë pozitat.

Shegë, ju keni ndërtuar një karrierë të fortë në një industri të dominuar historikisht nga burrat. Si e përshkruani këtë rrugëtim dhe cilat kanë qenë momentet më të vështira?

Rrugëtimi ka qenë sfidues, por edhe shumë frymëzues, një kombinim i sfidave të shumta dhe momenteve shumë të bukura. Vështirësitë kryesore kanë qenë thyerja e paragjykimeve gjinore dhe fitimi i besimit në një mjedis ku rolet drejtuese zakonisht i janë besuar burrave. Në një industri ku shpeshherë vendimmarrja ka qenë në duart e burrave, për një grua të re ka qenë e domosdoshme të punojë shumëfish më shumë për të fituar respektin dhe besimin e të tjerëve. Megjithatë, çdo vështirësi e kam shndërruar në motivim për të vazhduar edhe më e fortë. Sot mund të them me bindje se këto barriera më kanë bërë më të guximshme, më të vendosur dhe më të përgatitur.

Ju mbani pozita të rëndësishme si Drejtoreshë e Administratës së Kujtesës dhe si Këshilltare Bashkie në Prishtinë. Si arrini t’i balanconi këto role që kërkojnë angazhim të lartë dhe vendimmarrje të përditshme?

Balancimi vjen nga organizimi i mirë dhe prioritetet e qarta. Ekipi im i fortë është shtylla kryesore që më ndihmon të mos e mbaj gjithçka mbi supe. Përpiqem t’i ndaj detyrat, të delegoj dhe të kem një vizion të qartë për çdo projekt. Një rol i tillë kërkon jo vetëm përkushtim të madh personal, por edhe një ekip të fortë rreth vetes. Unë besoj shumë te puna ekipore, dhe falë bashkëpunëtorëve të mi arrij të menaxhoj përgjegjësitë pa i lënë pas dore projektet. Çdo mëngjes nis me një plan të qartë pune, por edhe me fleksibilitet për t’iu përgjigjur situatave të ndryshme dhe dinamike.

Si arrini të balanconi rolin si nënë vetëushqyese, me angazhimet e shumta profesionale dhe politike?

Ky është roli më i rëndësishëm dhe më i bukur i jetës sime. E shoh kete rol jo si pengesë, por si forcë shtesë. Fëmijet e mi janë motivimi im më i madh për çdo vendim që marr, me synim për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe me më shumë mundësi për brezat e ardhshëm. Balancimi i këtyre roleve është padyshim sfidë, por edhe ajo që më jep më shumë kuptim dhe forcë. Te jesh nënë vetëushqyese nuk është vetëm një përgjegjësi, por një bekim që më kujton çdo ditë pse ia vlen të luftoj për një shoqëri më të drejtë. Një pjesë e rëndësishme e këtij balancimi është edhe mbështetja që marr nga familja dhe miqtë e afërt. Askush nuk mund t’ia dalë i vetëm, prandaj jam mirënjohëse që kam rreth vetes njerëz që më përkrahin dhe më japin forcë. Balancimi nuk është perfekt çdo ditë. Duke marrë në konsideratë që jam nënë vetëushqyese, ka ditë kur është më e vështirë, kur lodhja merr përparësi por është një proces i vazhdueshëm mësimi dhe përshtatjeje. Ajo që më udhëheq është besimi se duke qenë nënë dhe grua aktive në shoqëri, mund të jap një kontribut të dyfishtë: të rris fëmijë me vlera dhe të ndërtoj një mjedis më të mirë për të gjithë fëmijët e Kosovës.

A keni ndonjë rutinë apo filozofi që ju ndihmon të menaxhoni stresin dhe kohën?

Po, gjatë viteve kam mësuar se menaxhimi i stresit nuk është luks, por domosdoshmëri. Stresi është pjesë e pashmangshme e jetës profesionale dhe politike, por kam mësuar ta shoh jo si armik, por si diçka që mund të menaxhohet nëse gjejmë mënyrën e duhur. Për mua, aktiviteti fizik është një nga mënyrat më të forta për të larguar stresin, qoftë një orë palestër, një vrapim i lehtë, apo edhe një shëtitje në natyrë. Këto momente më ndihmojnë të çliroj mendjen dhe të rikthej energjinë. Një tjetër mënyrë është koha që kaloj me njerëz që më kuptojnë, që më japin pozitivitet dhe energji të mirç. Sa herë i jap kohë vetes, bëhem më e fortë për të përballuar sfidat e reja.

Pse zgjodhët të angazhoheni në politikë lokale? Çfarë ju motivoi të kandidoni për Asamblenë e Prishtinës dhe çfarë ndryshimi dëshironi të sillni?

Janë bërë 4 vite që jam e angazhuar në politikë si Këshilltare Bashkie dhe rikandidoj tani sepse besoj fuqishëm se ndryshimi më i madh ndodh në nivelin lokal, aty ku qytetari e ndjen përditë ndikimin e politikave. Motivimi im kryesor ka qenë transparenca, përfaqësimi i grave dhe i të rinjve, si dhe krijimi i një qyteti më të drejtë e më të barabartë për të gjithë. Dua që qytetarët të kenë besim te institucionet e tyre dhe të ndihen pjesë e vendimmarrjes. Dua të jem zë për qytetarët, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë që shpesh nuk kanë përfaqësim të mjaftueshëm. Ndryshimi që synoj është transparenca më e madhe dhe krijimi i mundësive të barabarta. Prishtina është qyteti im, vendi ku jam rritur, ku kam kujtimet më të bukura, por edhe ku kam parë se sa shumë ka nevojë për vizion të ri. Motivimi im nuk lidhet vetëm me dëshirën për të marrë një post, por me dëshirën për të dhënë një shembull ndryshe të politikës, një politikë që dëgjon, që bashkëpunon dhe që respekton qytetarin.

Sipas jush, cilat janë tri cilësitë më të rëndësishme që çdo grua lidere duhet të zhvillojë?

Tri cilësitë themelore për një grua lidere janë: vendosmëria, sepse pa të nuk mund të përballosh sfidat; empatia, sepse lidershipi nuk është vetëm vendimmarrje, por edhe të kuptuarit e njerëzve; integriteti, i cili është themeli i çdo besimi. Këto tri cilësi e bëjnë një grua jo vetëm udhëheqëse të mirë, por edhe shembull frymëzues. Një grua lidere duhet të dijë të mos dorëzohet edhe kur rruga është e vështirë, sepse çdo pengesë është edhe një mundësi për të provuar forcën e saj të brendshme. Dhe kur një grua arrin të frymëzojë të tjerët, atëherë lidershipi i saj ka vlerën më të madhe.

Si Ambasadore e “Women Club Diaspora”, cilat mendoni se janë pengesat kryesore për gratë në lidership në Kosovë dhe diasporë?

Gratë përballen ende me barriera të shumta. Mentaliteti patriarkal, mungesa e përkrahjes institucionale dhe shpesh mungesa e mentorimit janë ndër pengesat më të mëdha. Zëri i brendshëm i shoqërisë që ende shpesh ua kujton grave se “udhëheqja nuk është për to” është një barrë e padukshme por e rëndë, që shpesh i bën gratë të dyshojnë në aftësitë e tyre. Prandaj, unë e shoh rolin tim jo vetëm si një ambasadore titullare, por si një zë që i bashkon këto gra, që krijon ura midis Kosovës dhe Diasporës, e që hap dyer për gjeneratat e reja. Sepse kur një grua ngrihet, ajo kurrë nuk ngrihet vetëm, me të ngrihen edhe shumë gra të tjera.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet për të krijuar më shumë hapësirë për gratë në pozita vendimmarrëse?

Institucionet duhet të marrin hapa konkretë: të zbatojnë politika të barazisë gjinore, të krijojnë programe të mentorimit për gratë e reja dhe të vendosin kuota reale për përfaqësim. Duhet të kuptohet se fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje drejtësie, por edhe zhvillimi, sepse asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara duke lënë gjysmën e popullsisë anash. Gjithashtu, institucionet duhet të sigurojnë kushte që e bëjnë të mundur kombinimin e karrierës me familjen. Shumë gra të afta heqin dorë nga ambiciet e tyre, sepse sistemi nuk është i ndërtuar për t’i mbështetur në këtë balancë. Politika të mençura për pushimin e lehonisë, oraret fleksibël apo shërbime të kujdesit për fëmijët janë domosdoshmëri për një shoqëri që mbeshtet gra lidere. Të fuqizosh një grua në vendimmarrje nuk është vetëm çështje drejtësie, është investim për të ardhmen e shoqërisë. Sepse një grua që merr vendime sjell në tavolinë jo vetëm logjikën dhe profesionalizmin, por edhe ndjeshmërinë e përvojën që buron nga rolet e saj të shumëfishta në jetë, dhe kjo e pasuron çdo institucion.

Nëse sot do të hiqeshin të gjithë titujt dhe pozitat tuaja, kush do të mbetej Shegë? Kush jeni ju përtej karrierës?

Nëse hiqen të gjithë titujt dhe pozitat, unë mbetem Shegë prap, një grua që beson tek njerëzit, tek mundësia për të bërë ndryshim dhe tek energjia që sjell tek të tjerët. Nje grua që nuk ndalem, që shoh mundësi aty ku të tjerët shohin sfida dhe që besoj se çdo veprim ka ndikim. Jam ajo që frymëzoj të tjerët të guxojnë, të rriten dhe të sfidojnë barrierat… Frymëzohem nga ide të reja, kërkoj të mësoj çdo ditë dhe nuk frikësohem nga sfidat. E thënë shkurt: një grua e vendosur, e guximshme dhe e pasionuar për të lënë gjurmë edhe pa tituj, kjo është ajo që mbetet dhe ajo që dua të lë pas.

Çfarë trashëgimie shpresoni të lini pas për gjeneratat e reja të grave lidere?

Shpresoj që gjeneratat e reja të kuptojnë se rruga drejt suksesit nuk është e lehtë, por është e mundur. Dua që ato të ndihen të lira të ëndërrojnë, të guxojnë, të thyejnë çdo stereotip dhe të krijojnë botën që ëndërrojnë drejt udhëheqjes me dinjitet. Shpresoj të lë pas një trashëgimi që thotë: “Mos prisni leje për të udhëhequr. Mos u trembni nga sfidat. Ndërtoni botën që dëshironi të shihni!”
Dua që gratë e reja të ndihen të fuqishme, të guximshme dhe të gatshme të sfidojnë çdo barrierë, duke krijuar mundësi për veten dhe të tjerët. Lidershipi nuk është vetëm pozita, është fuqia për të ndryshuar jetët dhe shoqërinë.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com