Sam Smith: Prindërit më lejuan të bëj liposucion kur isha 13 vjeç se më fryhej gjoksi
Këngëtari i famshëm Sam Smith ka sjellë në kujtesë një eksperiencë të vështirë kur ka qenë vetëm 13 vjeç, të cilën e konsideron “makth”. Ai është detyruar të bëjë liposucion, pasi problemet me peshën i kanë sjellë edhe shqetësime të tjera në raport me moshatarët.
“Për mua, pesha ka qenë gjithnjë problem. Të ndihesha ndryshe nga të tjerët s’më shqetësonte fare, e përballoja, por pesha ime kur kam qenë fëmijë ishte gjëja më e vështirë gjatë kohës së shkollës, pasi për këtë më ngacmonin.” – shprehet këngëtari 33-vjeçar i hitit “Unholy”.
“Jam operuar kur isha 13 vjeç, sepse po më rritej shumë gjoksi. Kishte disa arsye për atë që bëra, por kryesisht e mora vendimin se më vinin në lojë. Nuk mund të shkoja as të notoja në shkollë, apo të futesha në dhomën e ndërrimit pa u ngacmuar. Kështu që bëra liposucion kur isha ende i vogël.” – shton më tej Smith.
Interesant është fakti se prindërit e këngëtarit nuk u bindën me vështirësi për ta marrë këtë hap, çka ka habitur dhe vet Smith.
“Ata më mbështetën thuajse menjëherë për gjithçka, pasi e shihnin me sytë e tyre se sa po më ndikonte ky fakt. Liposucioni funksionoi, por u kthye në makth më pas kur më duhej të fashohesha, çka bënte të më dukej sikur kisha vënë sytjena.” – rrëfen Sam, për një periudhë jo shumë të bukur të fëmijërisë së tij.
Gjithësesi, në fund të bisedësë në podcastin “Podcrushed”, ai me shaka tregon se ushqimin e ka dashuruar gjithmonë aq shumë, sa liposucioni rezultoi i padobishëm. “Thjesht e dashuroj ushqimin!” – tha këngëtari.