Sorry, no posts matched your criteria.

Sabi Osmani: Misioni im në Global Woman Albania, për të inkurajuar femrat

Sabi është ndër ato gra që nuk ndalet drejt sukseseve. Një sipërmarrëse e sukseshme që gjithnjë është në kërkimeve të risive, këtë herë vjen me një angazhim ndërkombëtar. Sabi tanimë është drejtuesja e Global Woman Albania. Duke folur për mundësitë e reja që Global Woman Albania do të sjellë për femrën shqiptare, ajo rrëfen se është platforma e duhur për të fuqizuar gratë shqiptare. Në këtë rrëfim ajo zbulon edhe fillimet e biznesit të saj, ku duket se ka gërshetuar më së miri mëmësinë dhe angazhimin si bizneswoman në vendin tonë, me sfidat dhe barrierat e përditshme.

Sabi si drejtoresha e Global Woman Albania, si u bëtë pjesë e këtij angazhimi?

Të qënit një femër sipërmarrëse më frymëzonte që të isha në kontakt të vazhdueshëm me risitë dhe konferencat që realizoheshin në botën e historive të suksesit. Gjithmonë kam qenë partizane e fortë e idesë që arritjet varen nga aftësitë dhe jo nga gjinia. Mënyra e vetme për të luftuar maskilizmin e shoqërisë është që të mbështesim njëra-tjetrën, dhe pikërisht kjo më shtyu që të bëhem pjesë e Global Woman Albania.

Çfarë prisni dhe çfarë do t’i jepni Global Woman?

Ashtu si fillimet e çdo angazhimi, pritshmëritë janë shumë të larta, shpresoj shumë të realizohen ashtu sic janë bërë në çdo projekt që unë kam ndërmarrë. Do të vijmë më shumë inovacione për të shtuar gamën e aktiviteteve që do të zhvillohen dhe për të rritur numrin e pjesëmarrësve në Club.

Çfarë mendoni se do të ndryshojë Global Woman Albania në vendin tonë?

Global Woman Albania do të frymëzojë, inkurajojë dhe fuqizojë gratë për të krijuar dhe rritur bizneset e tyre të suksesshme. Do të brendësojë në konceptin e çdo femre, që të mos kenë ndrojtje për të shpalosur arritjet e tyre, ato duhet të ecin paralelisht me sukseset e tyre dhe t’ja prezantojnë të gjithëve këtë gjë. Duke dëgjuar historitë e suksesit të njëra-tjetrës do të marrin feedback për të zhvilluar më tej arritjet e tyre.

Sa e rëndësishme është për ju koncepti i gruas global, i gruas që bashkohet dhe ndërvepron?

Femra përfaqësojnë këmbënguljen për të finalizuar çdo gjë që ato nisin, nëpërmjet imagjinatës dhe intuitës që ata kanë. Ato duhet të luftojnë për të hedhur poshte stereotipin gjinor. Këtë betejë arrijnë ta fitojnë vetëm duke u bashkuar dhe ndërvepruar me njëra-tjetrën. Duke ndërvepruar me njëra-tjetrën arrijnë që të shkëmbejnë pikat e forta dhe të dobëta të arritjeve të tyre, të përfitojnë nga ngërcet që ato kanë pasur në biznes në mënyrë që të paraprijnë shmangien e tyre.

Për të gjithë ato që se njohin Sabin, nga cila fushë vini, cilat janë arritjet tuaja deri më sot?

Unë kam lindur në Tropoje, dhe që në vegjëlinë time jemi transferuar në Tiranë. Kam studiuar për Punë Sociale edhe pse se nuk e kam vazhduar karrierën time në atë fushë. Ndonjëherë arsimimi që bën nuk përkon me prirjet dhe dëshirat për karrierën profesionale, gjë e cila më ndodhi dhe mua. Fakulteti i Shkencave Sociale brumosi brenda meje dhe më shumë empatinë dhe të qënurit sociale. Në tetor të 2015 së bashku me bashkëshortin tim vendosëm të bënim hapin e madh, të ngritjes së një kompanie marketingu dhe telemarketingu. E nisëm me një numër shumë të vogël punonjësish, dhe përfunduam në një kompani lider marketingu. Çdo fillim i një biznesi ka vështirësitë e veta, duke nisur që nga hedhja në letër e idesë e deri tek zgjatja e tentakulave të para të saj. Përpos vështirësive financiare, logjistike, organizuese, mua ky fillim më përkojë njëkohësisht me muajtë e parë të shtatëzanisë time, e cila më interferonte në vrullin e lëvizjeve të mia.  Ardhja në jetë e tim biri në mënyrë të natyrshme më largojë nga puna për pak muaj, fizikisht sepse rutinën e punës vazhdoja ta bëja nga shtëpia. Fal mbështetjes shumë të madhe të familjes time të cilët kanë dhënë një kontributë shumë të madh në përkujdesjen e djalit tim, rinisa punën time pas shumë pak kohësh. Nga udhëtimet e shpeshta që bëja në Turqi, më lindi ideja e hapjes së një biznesi tekstil, duke sjellë një nga markat më të mira në vendin tonë.

Si është për një grua të jetë bizneswomen në vendin tonë, cilat janë barrierat që hasni?

Të jesh bizneswomen në Shqipëri do të thotë të hasësh shumë pengesa dhe barriera që shpesh mund të interferojnë dhe të krijojnë ngërçe në zhvillimin tënd profesional. Duke filluar që nga skeptikët dhe kritikët, të cilët mundohen të gjejnë vetëm difekte në ato që ju propozoni, kjo më qëllim për të penguar sukseset e tua. Maskilizmi është shumë i theksuar në shoqërinë tonë. Ideja që vetëm meshkujt janë të zot për të bërë karrierë dhe femrat janë të lindura për t’u kujdesur për mbarëvajtjen e shtëpisë. Nuk ka pse të zgjidhet një ndarje me thikë ndërmjet karrierës dhe familjes, të dyja mund të arrihen më së miri, patjetër me mund dhe sakrifica. Vendosja e balancës ndërmjet jetës profesionale dhe asaj familjare ishte një sfidë më vete në fillimet e karrierës sime. Sa më e madhe të jetë dëshira për të arritur majat, aq më lehtë kapërcehen sfidat.

Sa e përmbushur ndjeheni në profesionin tuaj, cilat janë sfidat e së ardhmes?

Të futesh në botën e biznesit është një sfidë shumë e madhe, por edhe më e madhe është të mbash të njëjtin pozicion dhe të luftosh për të arritur me tej majat e saj. Ambicja ime më e madhe është të eksploroj rrugë të reja dhe mbi të gjitha të sfidoj veten dhe të tjerët, gjithmonë duke thënë “Po unë mund dhe do ja dal”. Kjo ka qenë moto ime që në fillimit e biznesit tim dhe deri me sot. Asnjëherë nuk jam ndjerë mirë me veten të stopoj vetëm në një fushë të caktuar, por gjithmonë jam përpjekur ta zgjeroj atë në fusha të tjera. Asnjëherë nuk jam ndjerë komode me një punë më të lehtë, të merrja një rrogë në fund të muajit dhe të kthehesha në familje. Gjithmonë në imazhin e profesionit tim ka qenë një produkt i dalë nga unë dhe të ndjej rezultatin e saj.  Ndaj tashmë jam duke punuar me 2 projekte shumë të mëdha, inovative për tregun shqiptar, e bindur që do të ofrojnë një feedback pozitiv.

Kush është Sabi kur mbyll angazhimet e ditës, familja pasionet, si e ndani kohën tuaj?

Angazhimet e ditës janë shumë intensive dhe mezi pres të mbaroj dhe të jem pranë djalit tim. Pas pune jam një mami me kohë të plotë që mundohem të plotësoj çdo mungesë të kohës që nuk jam pranë tim biri. Kohën e lirë e ndaj me bashkëshortin tim që investojmë në argëtimin dhe aktivitetet për djalin tonë. Fundjavat e lira i shfrytëzojmë për të takuar familjet tona përkatëse dhe miqtë tanë të ngushtë.

POST A COMMENT