Një e dielë e ëmbël/Kek me mollë dhe kanellë
Sot si një ditë pushimi që është, pse të mos gatuajmë diçka të ëmbël dhe të thjeshtë.
Një kek me mollë dhe kanellë!
Është një ëmbëlsirë e thjeshtë dhe shumë aromatike falë kardamonit dhe kanellës. Kardamoni ka një aromë fantastike sidomos kur sapo e bluan, ndaj është më mirë ta bleni kokërr dhe jo pluhur. Është një nga erëzat më të shtrenjta pas shafranit, por vetëm pak mjafton për të aromatizuar kekun. Në qoftë se nuk keni kardamon, mund të përdorni vetëm kanellë, shkruan shije.al.
Përbërësit
- 2-3 mollë mesatare, të qëruara dhe të prera në feta të holla
- 2 vezë
- 1/2 filxhan çaji sheqer + 1 lugë gjelle
- 1 filxhan çaji miell për çdo përdorim
- 2 lugë gjelle gjalpë + 2 lugë vaj ulliri
- 3 lugë gjelle kos
- 1 lugë çaji pluhur për pjekje (baking poëder)
- 1 zarf vanilje
- Kanellë pluhur
- Kardamon 8-9 kokrra
Si përgatitet?
- Si fillim si çdo ëmbëlsirë duhet të ndezim furrën në 180 gradë.
- Shkrijmë një lugë gjelle gjalpë dhe e hedhim në tepsi (me diametër 20-22 cm, nga ato që nuk ngjisin). Mbi gjalpin e shkrirë spërkatim 1 lugë gjelle sheqer dhe pak kanellë. Mbi këto shtrojmë një shtresë me feta molle, i hedhim përsipër kanellë pastaj shtojmë dhe mollët e tjera dhe përsëri kanellë. Në total duhen shtruar dy shtresa me mollë.
- Në një tas, rrahim vezët me sheqerin, vaniljen dhe kardamomin sa të trazohen mirë. Shtojmë 3 lugë kos së bashku me 1 lugë gjalp të shkrirë dhe vajin e ullirit. Në fund shtojmë miellin dhe pluhurin për pjekje që i kemi përzier veçmas në një tas të vogël. Brumin e përgatitur e hedhim mbi mollë dhe e pjekim në 180 gradë për 45 minuta. Pasi është ftohur pak e përmbysim me kujdes mbi një pjatancë. Për një kek më të madh, mjafton të dyfishoni sasinë e përbërësve.
Ju bëftë mirë!