Aktori i “Dawson’s Creek” shet objektet nga seriali i famshëm, për t’u kuruar nga kanceri
Aktori i njohur James Van Der Beek, protagonist i serialit të famshëm “Dawson’s Creek” po kalon një periudhë të vështirë në jetën e tij, pasi mësoi se vuan nga kanceri i zorrës së trashë i gradës së 3-të, rreth një vit më parë.
Për shkak të kurave të vazhdueshme dhe të kushtueshme, mesa duket atij i duhet të nxjerrë në shtije disa prej kujtimeve më të shtrenjta nga roli i tij në serial, që të mbulojë shpenzimet.
48-vjeçari që ka interpretuar Dawson Leery në serialin dramatik shumë të dashur nga të rinjtë që u publikua mes viteve 1998-2003, ka pranuar se në fakt ndihet keq që po ndahet nga objektet, ama duke marrë parasysh të papriturat e pakëndshme të jetës së tij, është momenti për t’i larguar ato.
Ndër gjërat që do dalin në ankand, të cilat fansat mund t’i blejnë, është një veshje e tij e përdorur në një episod pilot, që mund të shitet rreth 4000 dollarë. Sipas “People”, edhe varësja që Dawson i dhuroi Joey Potter (interpretuar nga Katie Holmes) në ballon e fundvitit do të dalë në shitje për një shifër mes 30.000-50.000 dollarëve.
Në shitje gjithashtu do të dalin edhe këpucët e futbollit dhe kapelja e West Caana Coyotes, të përdorura në filmin “Varsity Blues” i vitit 1999.
“I kam ruajtur këto thesare për vite me radhë, duke pritur momentin e duhur për të bërë diçka me to. Por me gjithë të papriturat që jeta më ka rezervuar kohët e fundit është e qartë që ka ardhur momenti i duhur.” – është shprehur Van Der Beek.
“Pavarësisht se ndjehem disi nostalgjik për ndarjen me to, është gjë e mirë që t’i ofroj për ata që kanë mbështetur punën time ndër vite.” – shton më tej aktori, i cili do t’i nxjerrë objektet në ankandin e Winter Entertainment Live Auction që do të mbahet nga data 5 deri më 7 dhjetor.
Të gjitha të ardhurat prej shitjes do të shkojnë te 48-vjeçari, që të mundësojë vazhdimin e kurave. Kujtojmë se para disa javësh, gjithë kasti i serialit “Dawson’s Creek” u takua në një ribashkim emocionues pas shumë vitesh, ku vet protagonisti nuk ishte prezent për shkak të gjendjes shëndetësore, por arriti t’i përshëndesë të gjithë nëpërmjet një videoje.