Sorry, no posts matched your criteria.

Mes debatesh dhe protestash, Kuvendi miraton projektligjin për Barazinë Gjinore

Mbrëmjen e djeshme, pas një seance të gjatë dhe të shoqëruar me debate të forta mes palëve politike, parlamenti ka miratuar projektligjin për Barazinë Gjinore, Nisma kaloi me 77 vota pro nga deputetët e Partisë Socialiste, ndërsa ishin 36 votat kundër që u dhanë nga radhët e opozitës.

Miratimi i projektligjit erdhi pasi Partia Socialiste kërkoi që të shmangej çdo përfshirje në debatin e krijuar, pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla. Polemikat u ndezën pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kritikoi ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e cilësuar si një nga mbështetësit e këtij ligji.

Opozita kërkoi tërheqjen e projektligjit, duke e konsideruar atë me pasoja për shoqërinë dhe familjen shqiptare. Kundërshtimet u përqendruan kryesisht te terminologjia që lidhet me identitetin gjinor, për të cilën deputetët opozitarë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare e të shoqërisë civile pretendojnë se bie ndesh me vlerat tradicionale dhe mund të hapë rrugën për njohjen ligjore të komunitetit LGBTI+.

Në anën tjetër, mazhoranca socialiste mbrojti projektligjin si një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit me legjislacionin europian. Për të zbutur kundërshtitë, PS ndërmori disa ndryshime terminologjike, të cilat u prezantuan fillimisht në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ditën e sotme, në mbrojtje të votimit të Projektligjit për Barazinë Gjinore por edhe për të sqaruar më tej opinionin publik rreth kësaj çështjeje, në një deklaratë për mediat ka folur deputetja e PS, Iris Luarasi.

Ajo është shprehur se në fakt ky ligj nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua. Përsa i përket përfshirjes në ligj të gjuhës gjithëpërfshirëse gjinore, Luarasi tha se ajo dhe kolegët e saj nuk do të votonin kurrësesi për një ligj që do të zëvendësonte termat “nënë” dhe “baba” me termat “prindi 1” dhe “prindi 2”, duke e quajtur këtë ide një gënjeshtër që është përhapur në mbarë opinionin publik.  

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com