Në dhjetor rikthehet “Big Brother VIP”, tashmë është zyrtare!
Thuajse 7 muaj nga mbyllja e edicionit të 4-t të “Big Brother VIP”, ku fitues u shpall këngëtari Gjesti i cili vinte nga i njëjti format në Kosovë, vjen lajmi për vazhdimësinë e programit.
E ndërsa shumë fansa të reality show-t të suksesshëm kishin ngritur dyshime nëse këtë sezon do të vazhdonte po formati VIP, apo ai me njerëz të panjohur, Top Channel ka vendosur të shuajë çdo dilemë.
Nëpërmjet një videoje të postuar në rrjetet sociale, televizioni njofton se në muajin dhjetor do të nisë edicioni i 5-të i “Big Brother VIP”: një logo e animuar, syri vëzhgues që bie dhe që njëkohësisht krijon notat e siglës së njohur të programit.
Kaq ka mjaftuar që të ndizet entuziazmi në komente, edhe pse informacioni është minimal deri tani. Ende nuk është thënë me siguri se cili do të jetë drejtuesi i këtij viti i programit, pasi sezonin që lamë pas u la të dyshohej se Ledion Liço nuk do të vazhdonte të ishte në moderim.
E ndërsa ndjekësit e paduruar “hedhin” emra personazhesh të njohur si kandidatë për t’u futur në shtëpinë e famshme, presim emrat zyrtarë të konfirmohen një nga një, çka pritet të ndodhë së shpejti.