Sorry, no posts matched your criteria.

Margaret Shllaku; Mes të bukurës dhe filantropisë

Margaret nuk është si modelet e tjera që njihni. Brunia seksi ka shkelur herët pasarelat ndërkombëtare dhe sot ndjehet aq e realizuar në modeling, sa kthen sytë në të tjera sfida. Ajo vjen në këtë intervistë si një profesioniste e vërtet, duke na zbuluar më shumë rreth karrierës së saj. Por pak e dinë që Margaret bën bamirësi. Ajo është ndër të veçantat që ka zgjedhur që veprat mos t’i pasqyrojë në rrjetet sociale, duke bërë gjithçka në heshtje. “Ndjehem e fuqishme kur dhuroj”, shprehet Margaret, duke mos harruar të jap dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët në këto ditë të vështira.

 Si po vijon karriera juaj në modeling?

Ky vit ka qenë i vështirë, plot me sfida dhe aq më tepër planet për jashtë rezultuan të pamundura. Dua të theksoj këtu pjesëmarrjen time në “Miss Super Model of the World”, që do të mbahet në Indi. Unë po realizoja videon për këtë konkurs, kur u mbyllëm në karantinë, ndaj besoj se pjesëmarrja ime do të mbetet për vitin tjetër. Për sa i përket punës në Shqipëri, kam vijuar me kontratat, brandet, dyqanet e ndryshme. Megjithatë edhe këtu pandemia ndikoi. Por mund të them, që sot, pas disa vitesh eksperiencë në këtë fushë, modelingu nuk është më parësorë në jetën time. Jam fokusuar tek Masteri që po ndjek si dhe tek një sipërmarrje e imja që po investoj.

Ndër vite keni provuar modelingun, si do ta përshkruanit këtë eksperiencë?

As unë nuk e besoj që kam shkuar kaq larg pritëshmërive të mia. Si çdo vajzë, kur e nis këtë botë ka ëndrra dhe qëllime, por asnjëherë se di ku mund të arrish. Atëherë se kisha idenë se do ti rrija në kokë kësaj dëshire. Që në vitin 2013 ku unë mora pjesë në një konkurs bukurie në Egjipt, unë vijova rrugën për të përfaqësuar vendin tim në sa më shumë kompeticione të tjera. Ka qenë një eksperiencë që mua më ka rritur profesionalisht dhe mbi të gjitha kam mësuar gjëra shumë të rëndësishme. Mbi të gjitha për mënyrën sesi këto gjëra funksionojnë jashtë dhe si duhet të funksionojnë tek ne.

Me sytë e një profesionisteje, si e shihni sot këtë sektor në Shqipëri?

Si e thashë edhe më lartë, duke parë pasarelat ndërkombëtare, e shoh me sy tjetër edhe modelingun në Shqipëri. Dua të them që vitet e fundit ka një rritje profesionale në treg. Ka një rritje tek fotografët, tek studiot, tek modelet. Sot kërkohen femra të bukura, por edhe të plotësuara. Sot kërkohet edhe thelbi, sepse femrat shqiptare mbahen për bukuri, por duhet që të trasmetojnë veç bukurisë dhe klasin e tyre, formimin e tyre, sepse të jesh pjesë e një kopertine apo e një fushate publicitare, e një brandi, do më shumë sesa bukuri fizike.

Duket se të shumta janë vajzat që aspirojnë të bëhen modele, ke një këshillë për to?

Patjetër që vajzat e reja kanë mundësi të bëjnë karrierë. Aman duhet të dinë që kjo është një mundësi që duhet të mësojnë të investojnë dhe jo të vetëquhen modele pa qenë të tilla. Vëmë re që në Shqipëri, termi modele është i keqpërdorur. Modele quhen edhe vajzat që kanë disa foto të bukura në Instagram, apo pse miqtë i komplimentojnë. Por në fakt është një profesion që çdo njëra mund të përfitojë, të rritet profesionalisht. Aq më tepër ato që kanë një “book” të mirë. Pra një libër me fotot e tua të paedituara, pa make-up dhe me të brendshme, ku dallohet nëse je e duhura për këtë profesion. Dhe në Shqipëri ka mundësi shumë të mira, por edhe jashtë mund të gjesh kontrata të mira.

Jeni për foto sensuale apo foto nudo?

Sot për sot, ka ndryshuar e gjithë idea e fotove nudo dhe sensuale. Më përpara shikonim se rrjeti shpërthente kur shfaqej një foto nudo, sot nuk ka më atë përshtypje. Mendoj se fotot sensuale janë që mbeten, sepse kanë një pikëpyetje. Ndërsa fotot nudo mbarojnë aty dhe nuk ke çfarë sheh më tepër

Ndërkohë njiheni edhe si një personazh që bëni bamirësi, si ka nisur ky mision i juaji?

Kjo është e kultivuar që në fëmijëri, sepse prindërit janë munduar të më rrisin me një frymë që ne duhet të jemi të ndjeshëm edhe për ata që janë jashtë derës sonë. Gjithmonë në familje kam dëgjuar dhe jam edukuar që të dhurojë, sidomos për festa. Sa më shumë rritesh aq më shumë kupton që të japësh të bën më të fuqishëm. Falenderoj familjen time që më ka rritur në këtë mënyrë dhe mamanë time që më ka bërë pjesë të shoqatës “Familja e madhe 1”, sepse aktualisht angazhohem në këtë shoqatë dhe bëj projekte herë pas herë.

Na renditni disa nga veprat dhe bamirësitë që keni bërë deri më sot?

Kjo ka qenë një nga gabimet e mia të fillimeve. Kjo sepse nga dëshira për të bërë mirë dhe për të pasur sa më shumë njerëz të tjerë si unë, çdo gjë që bëja e postoja. Por sot unë e kam shumë të vështirë të postoj dhe jam munduar mos të bëj më asgjë të tillë në rrjetet sociale. Aq më pak të postoj gjërat që unë dhuroj. Sepse vlerën se kanë ato, por gjesti. Janë të shumta veprat që kemi bërë, sidomos për familje në gjendje të rënduar financiare. Kemi zgjedhur mos të ndihmojmë vetëm një individ, por të gjithë familjen. Kemi pasur prindër pa mundësi ekonomike, me tre fëmijë për të rritur dhe për të studiuar. Jemi kujdesur që të kenë gjërat minimale, që këta fëmijë të kenë bukë për të ngrënë dhe kur të shkojnë në shkollë të kenë rroba dhe libra. Jam ndjerë shumë e lumtur kur kemi ndihmuar familje që jetonin në shtëpi të pabanueshme.  

A është më e lehtë të mbledhësh njerëz bashkë për bamirësi kur je një personazh i famshëm?

Të them të drejtën kjo nuk ndikon shumë, ndoshta deri diku. Pavarësisht sesa i famshëm je, ka njerëz shumë të thjeshtë, me mundësi jo të mëdha ekonomike dhe prapë japim gjysmën e atyre që kanë. Më besoni ata që bëjnë më shumë bamirësi janë njerëz të thjesht dhe larg pasurisë dhe famës.

Cilat janë synimet tuaja rreth bamirësisë për vitin që vjen?

Kam synime më të qarta dhe më të ndjera pas muajve të fundit. Ndonjëherë harrojmë se njerëzit që duam nuk janë të përjetshëm. Para pak javësh gjyshja ime u përball me një paralizë të pjesshme dhe ne na u desh të gjenim gjithçka për një person tanimë të pamundur. Mendova që ajo ka ne dhe po bëjmë maksimumin për të, por kur mendoj për gjyshërit që nuk kanë mundësi ekonomike, apo janë të braktisur ndjehem e hidhëruar. Synimi i 2021 për mua do të jetë të ndihmojë më shumë gjyshërit që po vuajnë problemet shëndetësore. Ne fokusohemi edhe tek brezat e rinj, që duhet të studiojnë dhe të rriten, por duhet të kthejmë sytë edhe tek të moshuarit, tek ata që na kanë rritur.

Ndërkohë ju kemi parë sezonin e shkuar tek Përputhen, si ishte kjo pjesëmarrje për ju?

Ishte një nga vendimet më të shpejta që kam marrë. Duke qenë një vajzë e pavarur dhe kam krijuar jetën time si kam dashur, duke qenë se isha vetëm, mendova pse jo mund të gjeja dikë, apo mund edhe mos ta gjeja, ashtu edhe si ndodhi. Ishte një pjesëmarrje që më ka lënë shumë mbresa, sidomos tek njerëzit që njoha, që ende sot i kam miq, por edhe tek reagimet që mora. Shumë më thonin që i ke të gjitha mundësitë dhe shkon të gjesh një të dashur tek Përputhen, ku duhet thënë që djemtë ishin shumë të rinj në moshë. Besoj se ky ishte gabimi, që nuk kishte meshkuj në moshë pak më të madhe.

Tashmë që ky format përfundoi, a e ka gjetur Margaret dashurinë?

Për fat nuk e gjeta në emision, por jam e bindur që kam fituar admirimin e shumë njerëzve. Por mbi të gjitha fitova dashurinë e një personi që e kam patur për shumë kohë afër, e kam pasur mik dhe tashmë jemi në një lidhje. Nuk është personazh publik, nuk ka aspak lidhje me televizionin. Është një person që jeton mes Shqipërisë dhe një shteti tjetër. I dashuri im sot dhe miku im i atëhershëm, ai ishte jashtë në kohë që unë isha tek Përputhen dhe si duket u ndje xheloz dhe bëri atë që duhej.

Çfarë duhet të ketë një mashkull që të tërheq vëmendjen tuaj?

Për derisa unë e kam pasur prej disa kohësh si mik të dashurin tim do të thotë që i vlerësoj fisnikërinë dhe besnikërinë. Partneri im ka shumë vetëbesim dhe patjetër që ja adhuroj këto tipare.

Kemi lënë pas një vit të vështirë, si ka qenë pandemia e COVID për ju dhe çfarë planesh iu la përgjysmë?

Ky vit ka qenë shumë i bukur sepse ka pasur shumë ngjarje, pavarësisht pandemisë. Kam bërë miq të mirë dhe kam humbur miq të vjetër. Ka qenë një vit që më ka sprovuar në shumë gjëra dhe më ka forcuar shumë. Gjithë këto sfida që kanë ndodhur përgjatë këtij viti më kanë bërë që të mbledh forcat për vitin tjetër. Ndërkohë po pres të marr pjesë tek spektakli që lashë përgjysëm tek “Miss Super Model of the World”, që do të mbahet në Indi. Dua nga ana tjetër ti uroj të gjithëve shqiptarëve që të kenë pasur një vit të lehtë dhe shpresoj që të gjithë ta kemi kuptuar se më e rëndësishmja është jeta dhe shëndetit dhe natyrisht në 2021 do të fokusohemi tek shëndeti dhe mirëqenia e familjes.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com