Lajm i mirë, pas 2 vitesh të përgjakshme arrihet hapi i parë i paqes Izrael-Hamas
Dy vite pas sulmit të Hamasit në Izrael, që u mori jetën rreth 1200 personave, çka çoi në një “hakmarrje” të përgjakshme pa ndalim në Rripin e Gazës nga forcat izraelite, duket se më në fund një hap i madh drejt paqes është hedhur.
Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të një plani armëpushimi të formuluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili fillimisht do të bëjë të mundur lirimin e pengjeve izraelite nga Gaza, ndërkohë që Izraeli do të lirojë disa palestinezë.
Sipas Donald Trump, me shumë mundësi pengjet do të lirohen ditën e hënë, pavarësisht se disa pika të tjera të rëndësishme si çarmatimi i Hamasit apo drejtimi i Gazës nuk u përmendën.
Nga ana tjetër, Beniamin Netanyahu do të mbeldhë qeverinë ditën e sotme për një votim përfundimtar për armëpushimin, pasi duhet aprovimi i kabinetit.
Faza e parë e marrëveshjes është pritur me festime në Gaza dhe në Izrael, pavarësisht se banorët janë skeptikë për materializimin e një paqeje përfundimtare.
Kujtojmë se që nga sulmi i 7 tetorit në Izrael, për 2 vite me radhë janë vrarë mijëra njerëz, mes të cilëve shumica fëmijë e gra, si dhe sulmet që kanë çuar në shkatërrimin thuajse total të Rripit të Gazës.