I kërkoi mendim ChatGPT-së, 68-vjeçarja fiton 150.000 dollarë prej numrave të inteligjencës artificiale
Carrie Edwards, 68-vjeçarja nga Midlothian, një periferi e Richmond në Virginia, ka fituar plot 150.000 dollarë në lotarinë “Powerball”, falë një kombinimi numrash të sugjeruar nga ChatGPT.
Edhe pse fillimisht mendoi se mesazhi në telefon që e njoftonte për fitoren ishte një mashtrim, shumë shpejt kuptoi se kishte goditur në shenjë.
Edwards, e cila nuk luan zakonisht, ishte në shoqërinë e një mikeshe të apasionuar pas lotarive, kur vendosi të provonte fatin. Ajo kërkoi nga aplikacioni i “Virginia Lottery” që të blinte një biletë online dhe pyeti ChatGPT për “numra me fat”.
“Luck is luck” (fati është fat) – ishte përgjigja e Chat-it, që më pas propozoi një kombinim numrash të zgjedhur rastësisht.
Numrat e saj morën pjesë në shortin ku fitoi një çmim prej 50.000 dollarësh, i cili u trefishua më pas.
Pasi kuptoi se kishte fituar 150.000 dollarë, Edwards tregoi se u ul e vetme në kuzhinë për të “përtypur” lajmin. Por ndryshe nga sa shumë të tjerë do të bënin, ajo rrëfeu se ndjeu një “ndriçim të brendshëm” që i tha se paratë nuk i përkisnin asaj. Pa e ndarë lajmin as me tre fëmijët e saj, Carrie vendosi të dhuronte të gjithë shumën për bamirësi.
“U ndjeva e bekuar! Kur dikush merr një bekim të tillë, mund ta përdorë për të bërë mirë.” – u shpreh Edwards për atë që i ndodhi.
Një pjesë të parave ajo i dha për një shoqatë që merret me kërkimin rreth formave fillestare të demencës, prej së cilës u prek dhe burri i saj që ka humbur jetën. Rreth 40.000 dollarë, fituesja e lotarisë i dhuroi për një shoqatë që lufton varfërinë ushqimore në Richmond, ndërsa pjesa e mbetur e parave shkoi për Navy-Marine Corps Relief Society, në nder të babait të saj që ka qenë oficer i Marinës dhe i Pentagonit.
Nuk e dimë nëse chat-i inteligjent i saj përdori ndonjë truk apo analizoi algoritme specifikë, ama Carrie Edwards e ka ndjerë veten njeriun më me fat në botë pas fitores, çka mund ta bëjë atë të marrë sërish mendjen e inteligjencës artificiale në të ardhmen.