“Më fajtori nga të gjithë” – Prindërit e Matthew Perry akuzojnë mjekun për vdekjen e djalit, me letrat emocionuese
Në prag të shpalljes së vendimit për dënimin e Dr. Salvador Plasencian, një prej 5 personave të akuzuar si shkaktarë për vdekjen nga mbidoza e ketaminës të aktorit Matthew Perry, prindërit e yllit të “Friends” kanë dorëzuar letra me ndikim emocional në gjykatë. Sipas “Rolling Stone”, ata e konsiderojnë mjekun si një ndër më fajtorët e kësaj tragjedie.
Në deklaratën e tyre, nëna e Perry-t, Suzanne dhe bashkëshorti i saj Keith Morrison shprehin dhimbjen e thellë për humbjen e të birit.
“Si matet një dhimbje e tillë? Jeta e tij ishte e ndërlidhur me tonën dhe çdo ditë përpiqeshim ta mbanim larg asaj gjëje të tmerrshme që kërcënonte ta vriste. E më pas dalin nga errësira disa të babëzitur dhe gjithçka shembet!” – shkruajnë ata në letër.
Çifti e përshkruan Dr. Plasencian si një nga më fajtorët, duke shtuar se mjeku shkelu betimet e tij profesionale dhe e takonte Perry-n fshehurazi, pavarësisht historisë së tij të gjatë të varësisë, të njohur nga “e gjithë bota”. Madje ata hedhin edhe dyshimin nëse arsyeja e vetme e kësaj shkeljeje nga ana e mjekut ishin paratë, apo kishte dhe diçka tjetër?
Edhe babai biologjik i aktorit, John Perry, së bashku me njerkën e tij, Debby Perry, kanë dorëzuar deklaratat e tyre. Ata theksojnë se Plasencia “nuk meritonte t’i dëgjonte ndjenjat e tyre”, duke e akuzuar se i ka ofruar aktorit doza të shumta që e çuan atë drejt vdekjes.
“Matthew kishte nevojë që ju t’i thoshit JO. Përse nuk e bëtë? A e kuptuat ndonjëherë se ku do të përfundonte kjo?” – shkruajnë ata, duke kërkuar një denim sa më të ashpër për mjekun. Kujtojmë se aktori i famshëm i serialit “Friends”, Matthew Perry ndërroi jetë më 28 tetor të vitit 2023, në një nga ngjarjet më të trishtuara të Hollywood-it vitet e fundit.
Procesi gjyqësor ndaj personave të përfshirë vijon të marrë vëmendje të madhe publike.
