
“Flowers Elixir Store”: Kur aroma bëhet art dhe sipërmarrje
Rrëfimi i saj është dëshmi se kur pasioni bashkohet me vendosmërinë dhe vizioni mbështetet nga guximi, çdo ëndërr mund të marrë formë reale. “Flowers Elixir Store” nuk është vetëm një histori suksesi në biznes, por edhe një thirrje për të gjitha gratë që duan të ndërtojnë diçka që e duan fort, të besojnë në intuitën e tyre, të mos dorëzohen përballë sfidave dhe të krijojnë hapësira që pasqyrojnë thellësisht atë çfarë janë. Sepse suksesi nuk është thjesht një destinacion por është rruga që të ndjek me dashuri dhe përkushtim çdo ditë, njëlloj siç ndodh me Arditën e cila na rrëfen shumëcka rreth saj dhe biznesit të saj.
Çfarë ju frymëzoi të hapni një dyqan parfumerie dhe pse pikërisht emri “Flowers Elixir Store”?
Frymëzimi im për të hapur një dyqan parfumerie lindi nga dashuria për aromat dhe ndikimin emocional që ato kanë tek njerëzit. Kjo dashuri për botën e aromave më shtyu për të krijuar një hapësirë ku klientët jo vetëm të blinin produkte, por të përjetonin një eksperiencë, të ndiheshin të mirëpritur dhe të udhëzuar në zgjedhjen e një parfumi që flet për ta. Emri “Flowers Elixir Store” është një zgjedhje personale, inspiruar nga lulet dhe shumëllojshmëria e aromave të tyre, duke dashur të krijoj një kopësht magjepsës ku secili mund të gjejë eliksirin e tij magjik!
A keni pasur ndonje lidhje personale ose emocionale me parfumin përpara se t’a ktheni ne biznes?
Unë jam e apasionuar pas parfumeve… Prej vitesh kam qenë e magjepsur nga mënyra se si një parfum mund të shprehë personalitetin, kujtimet apo gjendjen shpirtërore të dikujt. Kjo lidhje emocionale më frymëzoi ta kthej pasionin në një biznes, dhe më shumë se kaq, një formë arti dhe kujtese, që diferencohet që nga cilësia, shërbimi apo gjithçka tjetër.
Çfare e bën “Flower Elixir” ndryshe nga dyqanet e tjera te parfumeve ne Tirane?
Ajo që e bën “Flower Elixir” ndryshe nga dyqanet e tjera të parfumeve në Tiranë është përvoja që ofrojmë. Ne ndihmojmë çdo klient të gjejë aromën që flet për të, fokusojmë vëmendjen te këshillimi profesional dhe një përzgjedhje e kujdesshme e parfumeve unike, duke sjellë një shumëllojshmëri brandesh ekskluzive ku secili mund të gjejë veten. Gjithçka është ndërtuar me shumë dashuri dhe kujdes.
A janë parfumet që ofroni me shumë artizanale, selektive apo te markave te njohura?
Ne fokusohemi kryesisht te parfumeria “niche”. Përveç shumë markave të njohura që ofrojmë, përpiqemi të zgjedhim me kujdes aroma që nuk gjenden lehtësisht në çdo dyqan – parfume me identitet të fortë, histori dhe përbërës të cilësisë së lartë. Sot me krenari mund të themi se në pak më shumë se një vit në treg, kemi arritur të kemi distribucionin zyrtar për Shqipërinë të rreth 20 brandeve niche të njohura në të gjithë botën!

Cili është parfumi juaj i preferuar dhe pse?
Të them të drejtën duke pasur të bëj me kaq shumë aroma çdo ditë, e kam të pamundur të kem vetëm një të preferuar. Do të thoja se nga çdo brand adhuroj një aromë, nuk do të veçoja një parfum të preferuar, por një notë të preferuar që për mua është trëndafili.
Si është të jesh një grua sipërmarrëse në Shqipëri?
Të jesh grua sipërmarrëse në Shqipëri është një përvojë komplekse, do të thoja sfiduese, por që ofron edhe mundësi për rritje dhe ndikim. Me guxim, besim dhe këmbëngulje besoj se çdo gjë është e mundur. Rruga nuk është gjithmonë e lehtë, ka pasiguri dhe momente lodhjeje, por këto nuk më kanë penguar. Kur sheh që puna jote nis të japë fryte, që krijon diçka tënden, që ndikon pozitivisht tek njerëzit përreth, e kupton se ia vlen çdo përpjekje. Unë besoj se gratë në Shqipëri kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe gjithnjë e më shumë po tregojnë se mund të ndërtojnë biznese të suksesshme.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në fillimet tuaja dhe sa ju ka mbështetur familja në këtë rrugëtim?
Momenti më i vështirë ka qenë vetë fillimi. Çdo gjë ishte e re dhe e pasigurtë. Kisha vizionin për të sjellë diçka të veçantë, brande unike që do të më diferenconin nga tregu aktual. Asgjë nuk ishte e lehtë, duhej një investim shumë i madh për të bërë çdo gjë sipas asaj që unë kisha ëndërruar dhe nuk e dija se sa kohë do të merrte për të parë rezultatet e para… Një falenderim të veçantë dua t’ja dedikoj familjes, bashkëshortit tim, i cili nuk ma ka kursyer besimin dhe ka qenë edhe mbështetja më e madhe në këtë sipërmarrje. Sot mund të them që “Flowers Elixir Store” është në rrugën e duhur si një histori suksesi. Me shumë dashuri, profesionalizëm dhe përkushtim po rritemi çdo ditë dhe shpejt do të shihemi edhe në pika të reja!