Ermal Meta mban premtimin! 10 vite magjike dhe rikthimi në club-e vitin e ardhshëm…
Kantautori shqiptar Ermal Meta, i cili prej shumë vitesh e ka ndërtuar dhe vazhdon karrierën e tij në Itali, ka njoftuar fansat e tij për turet e vitit 2026.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, 44-vjeçari shprehet se do ta nisë vitin e ri në një formë që ai e njeh shumë mirë: nga club-et, atje ku gjithçka nisi 10 vite më parë, me një premtim.
“Vitin që vjen do të festojmë 10 vite që nga momenti që bëmë një premtim. 10 vite me këngë, jetë, kilometra, udhëtime e koncerte. Jemi takuar në club-e, e prej aty kam vendosur ta nis vitin 2026, para stinës së zjarrtë të verës që na pret të gjithëve.” – shprehet Ermali.
Një kthim në origjinë ky pra i këngëtarit shqiptar, në ato vende të muzikës “live” ku shumë artistë nisin të performojnë, por nga ku jo të gjithë arrijnë të shkojnë drejt majës së suksesit, si Ermal Meta. Me këtë formë ai kërkon t’i shprehë të gjithëve se përveçse është një kantautor i talentuar dhe i suksesshëm, është edhe një njeri me këmbë në tokë që e di se nga vjen.
Meta shprehet gjithashtu se regjistrimet e këngëve të albumit të ri po shkojnë shumë mirë, e kështu mezi po pret t’i këndojë para publikut që e ka mbështetur gjithmonë. Edhe në këtë postim ata e kanë vlerësuar vendimin e Ermal Metës për të performuar në arena më të vogla, më lehtë të aksesueshme për një pjesë të njerëzve, si dhe e kanë ftuar të udhëtojë edhe në qytetet e tyre. Kujtojmë se Ermal Meta është fitues i Festivalit të Sanremos në vitin 2018 me këngën “Non mi avete fatto niente”, ndërkohë që vetëm 1 ditë më parë ka zbuluar se është kualifikuar për në fazën finale të “Sanremo 2026”.
