Fansat të paduruar për “Stranger Things”! Bllokohet Netflix sapo publikohet sezoni 5…
Pas shumë kohësh pritjeje, sezoni i pestë dhe final i serialit “Stranger Things” është publikuar në platformën Netflix. Durimit të fansave u kishte ardhur limiti me kohë, saqë kishin filluar të bënin shaka me protagonistët të cilët e kanë nisur këtë serial kur ishin fëmijë, ndërkohë që në sezonin e fundit të sapodalë, dikush prej tyre është bërë me fëmijë në jetën reale.
Gjithësesi, dëshira për ta parë premierën sapo ajo është publikuar ka bërë që platforma të bllokohet nga numri i madh i përdoruesve online. Bllokimi ka zgjatur rreth 3 minuta, ama probleme sporadike vazhdojnë të prekin Netflix edhe gjatë kësaj kohe.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që platforma “bie” për shkak të mbingarkesës nga trafiku i ndjekësve të “Stranger Things”. Në korrik të vitit 2022, kur u publikuan 2 episodet e fundit të sezonit të 4-t të serialit fantastiko-shkencor ndodhi e njëjta gjë.
Por diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me ndeshjen e shumëpritur të boksit mes legjendës Mike Tyson dhe Jake Paul, që ishte një ndër eventet e mëdha të platformës të transmetuara në “live stream”.
Ky fenomen, më shumë se sa një problem i Netflix shihet si një motiv krenarie nga krijuesit e serialit, çka tregon se ata që duan ta ndjekin janë të shumtë, një numër që së fundmi i kaloi dhjetëra mijërat njëkohësisht.
Sezoni final vjen më shumë se 3 vite pas serisë së fundit të sezonit të 4-t. “Stranger Things”, një krijim i Matt dhe Ross Duffer ka një kast aktorësh që përbëhet nga Millie Bobby Brown, Finn Wolfhard, Gaten Matarazzo, Caleb McLaughlin, Noah Schnapp, Sadie Sink, Natalia Dyer, Charlie Heaton, Joe Keery, Maya Hawke, Winona Ryder, David Harbour etj., dhe mbetet një prej serialeve më të shikuara ndonjëherë në Netflix.
