E trishtë! Ndahet nga jeta mbretëresha e baletit italian pas betejës me kancerin
Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare balerina e famshme italiane Carla Fracci. Fracci që prej kohësh vuante nga një tumor, ka qenë një nga balerinat më të rëndësishme në botë.
E lidhur pazgjidhshmërisht me teatrin ‘Scala’ të Milanos, Fracci në karrierë e saj të gjatë e ka çuar talentin e spikatur elegant në skenat me prestigjioze të të gjithë botës. Mes interpretimeve të saj kanë rënë në sy rolet e saj dramatike dhe romantike, që e kanë bërë një yll në të gjithë botën.
Me hiret e saj ajo ka ditur t’i japë formë personazheve femërore si Giselle, Sylphide, Giulietta, Swanilda etj. Ajo ka kërcyer me partnerët me të shquar si balerinët rus Rudolf Nureyev dhe Vladimir Vassiliev, duke kaluar tek Paolo Bortoluzzi deri tek më të rinjtë Massimo Murru e Roberto Bolle.
Ajo vjen nga një familje e thjeshtë italiane, por pavarësisht kësaj talenti i saj kristalor bëri që ajo të pushtojë teatrot më të rëndësishëm të botë, aq sa në 1981 ajo u bë ‘balerina e parë absolute’ nga New York Times.