“Dueli” i Eminem për pronësinë intelektuale me… një kompani australiane aksesorësh plazhi!
Reperi amerikan Eminem ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një kompanie australiane të aksesorëve verorë që quhet “Swim Shady”, duke pretenduar se emri i saj është tepër i ngjashëm me pseudonimin e tij të famshëm e të markuar, Slim Shady.
Në shtator, Marshall Mathers depozitoi një kërkesë në Zyrën Amerikane të Patentave dhe Markave Tregtare për anulimin e markës së regjistruar nga kompania australiane. Sipas ligjit amerikan, kjo kompani duhet të përgjigjet ndaj kërkesës brenda javës së ardhshme.
Avokatët e reperit 53-vjeçar akuzojnë kompaninë me bazë në Sidney për krijimin e një “asociacioni të rremë” me Eminemin. Nga ana tjetër, “Swim Shady” tha për BBC se do të “mbrojë pronësinë e vet të vlefshme intelektuale”.
Kompania, e cila shet çadra portative plazhi, çanta noti dhe aksesorë të tjerë të të njëjtës kategori, e regjistroi zyrtarisht emrin në shtator të 2023-shit, fillimisht me emrin “Slim Shade”, para se të zgjerohej dhe të hynte në treg në vitin 2024. Më herët këtë vit, ajo regjistroi edhe markën “Swim Shady” në SHBA, e cila u miratua, por menjëherë më pas ekipi i Eminemit kërkoi anulimin e saj.
Reperi i famshëm ka depozituar edhe një kundërshtim zyrtar ndaj markës së kompanisë në Australi. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ai e ka regjistruar markën Slim Shady në SHBA që prej vitit 1999, me publikimin e albumit që mban të njëjtin emër, ndërsa në Australi e ka regjistruar vetëm në janar të vitit 2025.
Kujtojmë se Eminem u bë i njohur globalisht në vitin 2000 me hitin “The Real Slim Shady”, i cili i solli edhe një çmim Grammy. Avokatët e tij theksojnë se marka “Slim Shady” është tashmë “e veçantë, e famshme” dhe e lidhur ekskluzivisht me karrierën e tij muzikore.
Nga ana tjetër, avokatët e kompanisë që merret me aksesorë plazhi mbrojnë interesat e tyre.
“Swim Shady është një kompani me origjinë australiane që lindi nga dëshira për të prodhuar syze dielli elegante dhe efektive, si dhe artikuj të tjerë për t’u mbrojtur nga dielli i ashpër australian.” – komenton zyrtarisht kjo kompani, e cila për momentin nuk shton më tepër për shkak të procesit të hapur gjyqësor. Deri më sot reperi Eminem ka fituar shumë duele që ka marrë përsipër, por a do ta fitojë edhe këtë të fundit?