Sorry, no posts matched your criteria.

Adelina Ismaili dhe motrat e saj në gjykatë të shoqëruara nga Policia?

Për shkak të mungesës së dëshmitareve në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, Gjykata Themelore në Prishtinë, do të lëshojë urdhëresë për sjellje me anë të policisë për Adelina Ismailin dhe dy motrat e saj Zanfina dhe Ema Ismaili.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

Dëshmitaret ishin parashikuar të dëgjoheshin në seancën e së mërkurës, mirëpo kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi kishte njoftuar se motrat mungesën e tyre e kishin arsyetuar përmes përfaqësuesit të tyre, avokatit Alban Makolli, me arsyetimin se nuk gjenden në Kosovë dhe se nuk dihet se kur do të kthehen.

Lidhur me dëgjimin e këtyre dëshmitareve, prokurori special Haki Gecaj, ka thënë se motrat Ismaili ishin duke iu shmangur qëllimisht dhënies së dëshmisë në këtë rast.

Gecaj, për të mos zvarritur procedurën, ka propozuar që të lexohen deklaratat e tyre në të gjitha fazat e procedurës.

Avokatja Kosovare Kelmendi, e cila e mbron të akuzuarin Enver Sekiraqa, është pajtuar pjesërisht me propozimin e prokurorit Gecaj, duke propozuar që të lexohen vetëm deklaratat e dhëna në shqyrtim gjyqësor, e jo ato në fazat e mëhershme, pasi sipas saj, mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia e kundërshtimit të atyre deklaratave.

Por, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e prokurorit për leximin e deklaratave, pasi sipas gjykatësi Kuqi ky proces gjyqësor po zhvillohet para një trupi tjetër gjykues.

Ai ka thënë se për sigurimin e motrave Ismaili, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje nga ana e policisë.

“Për sigurimin e pranisë së tyre në seancën e radhës, do të lëshohet urdhëresë për sjelljen e tyre nga ana e policisë. Me këtë rast do ta marrim edhe konfirmimin zyrtar nëse gjenden ose jo jashtë vendit”, ka thënë gjykatësi Kuqi.

POST A COMMENT