Përdori muzikën e saj pa leje, Sabrina Carpenter kundër Shtëpisë së Bardhë për videon “djallëzore”
Këngëtarja Sabrina Carpenter është e fundit nga personazhet e famshëm që kanë kritikuar Shtëpinë e Bardhë për përdorimin e muzkikës së tyre pa leje.
Ylli i muzikës pop ka reaguar ndaj një videoje të postuar nga Shtëpia e Bardhë në platformën X, e cila përdorte muzikën e këngës “Juno” mbi videon me tematikë ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në SHBA.
Imazhet që zgjasin 21 sekonda tregojnë agjentë të policisë të cilët ndjekin disa njerëz, të shoqëruar me frazën “A e ke provuar këtë?”, nga kënga e Carpenter.
“Kjo video është e shpifur dhe djallëzore. Mos më përfshini më kurrë mua apo muzikën time që të përfitojë axhenda juaj çnjerëzore!” – ka shkruar Sabrina për videon që mesa duket nuk i ka pëlqyer aspak.
Por nuk ka vonuar as reagimi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk shpreh aspak pendesë.
“Ja një përgjigje e ëmbël dhe e shkurtër për Sabrina Carpenter: Nuk do të kërkojmë falje për deportimin e kriminelëve të rrezikshëm, përdhunuesve dhe pedofilëve nga vendi ynë!” – ishte reagimi i zyrës së Presidentit të SHBA, e cila ironikisht ka përdorur edhe frazën “Short n’ Sweet”, që është emri i albumit të suksesshëm të Sabrina-s.
Por përgjigja nga Shtëpia e Bardhë për “Entertainment Weekly” nuk mbaroi me kaq. Ajo e ka cilësuar këdo që mbron personat e etiketuar si “budallenj”, ose thjesht pak të avashtë… Gjithsesi, nuk ka qenë vetëm fituesja e çmimit Grammy, Sabrina Carpenter ajo që ka bërë një kërkesë që të mos përdoret muzika e saj në videot e Presidentit Trump apo të Shtëpisë së Bardhë. Kujtojmë edhe rastin e Kenny Loggins për përdorimin e këngës “Danger Zone”, Olivia Rodrigos për këngën “All-American B***h”, si dhe grupet MGMT dhe Semisonic.
