Identifikohen mbi 40 mijë asteroidë afër Tokës, 2 mijë prej tyre mund të na godasin
Sipas të dhënave të qendrave ndërkombëtare të monitorimit, numri i asteroideve pranë Tokës të zbuluar deri më sot ka kaluar kuotën 40 mijë tashmë. Këto objekte, të njohur si “Near Earth Asteroids” (NEA), janë trupa qiellorë që mund t’i afrohen orbitës së Tokës deri në rreth 45 milionë kilometra.
Edhe pse rreth 2.000 prej tyre shfaqin një probabilitet sado të vogël për t’u përplasur me Tokën në 100 vitet e ardhshme, ekspertët theksojnë se këto mundësi janë zakonisht shumë më të ulëta se 1% dhe lidhen kryesisht me asteroide të vegjël, të cilët nuk përbëjnë rrezik të madh.
Zbulimi i parë i një asteroidi pranë Tokës daton në vitin 1898, por ritmi i identifikimit është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme në dekadat e fundit, paralelisht me zhvillimin e teleskopëve dhe teknologjive të reja. Nga 40 mijë asteroidet e njohura, 10 mijë janë zbuluar vetëm gjatë tre viteve të fundit.
“Numri i zbulimeve po rritet në mënyrë eksponenciale. Me vënien në funksion të teleskopëve të gjeneratës së ardhshme, presim që ky ritëm të rritet edhe më tej.” – deklaron Luca Conversi, drejtues i Qendrës së Koordinimit të Objekteve Afër Tokës (NEOCC) të Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA).
Gjithësesi, sipas komunitetit shkencor, shumica e asteroideve të mëdhenj, pra ata me diametër mbi 1 kilometër që përbëjnë potencialisht rrezikun më të madh, janë identifikuar tashmë. Tani vëmendja është përqendruar tek trupat me madhësi 100-300 metra, të cilët janë më të vështirë për t’u zbuluar.
Ndërkohë, Agjencia Hapësinore Europian po zgjeron përpjekjet e saj për mbrojtjen planetare. Ndër misionet kryesore të momentit janë: “Hera”, aktualisht në udhëtim drejt asteroidit Dimorphos për të analizuar pasojat e misionit DART të NASA-s; “Ramses”, që do të monitorojë nga afër kalimin e asteroidit Apophis pranë Tokës në vitin 2029; “Neomir”, një mision i ri që synon të eliminojë “pikën e verbër” të krijuar nga drita intensive e diellit, e cila pengon teleskopët tokësorë të identifikojnë asteroidet që afrohen shpejt.
Zbulimet e reja dhe misionet e avancuara dëshmojnë angazhimin në rritje të komunitetit shkencor ndërkombëtar për të kuptuar dhe parandaluar çdo rrezik potencial nga hapësira, ato që vijnë nga galaktikat e largëta, por edhe ato që janë shumë afër.