Rrjeta më e madhe e merimangave në botë zbulohet mes Shqipërisë dhe Greqisë
Një koloni gjigande merimangash është zbuluar ditët e fundit në një shpellë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ajo çka e bën këtë zbulim të rëndësishëm është fakti se bëhet fjalë për rrjetën e merimangave më të madhe të zbuluar ndonjëherë në botë, të populluar nga mbi 111 mijë ekzemplarë që jetojnë në errësirë totale.
Shkenctarët flasin për një sjellje kolektive të merimangave që nuk është parë herë tjetër te kjo specie.
Rrjeta gjigande u gjet në të ashtuquajturën Shpella e Squfurit, e cila e ka hyrjen në territorin grek, por që zonat më të thella të saj shtrihen në Shqipëri.
Ekzistenca e këtij grupi merimangash u sinjalizua për herë të parë në vitin 2022 nga një grup studiuesish i Czech Speleological Society, ndërsa më pas në vitin 2023 e së fundmi në 2025-ën, një tjetër grup biologësh studiuan fenomenin, duke bërë kështu publikimin e rezultateve mahnitëse.
“Kolonitë e merimangave, që shpesh i kalojnë 100.000 individët, lidhen me një bollëk burimesh ushqimore në nivel lokal. Shkencëtarët nuk kishin parë kurrë më parë një sjellje të tillë në këto lloj merimangash.” – shprehet Istvan Urak, docent i biologjisë në Sapientia Hungarian University of Transylvania të Rumanisë.
Kolonia e merimangave të zbuluara i përket kryesisht (69.000) llojit të merimangës shtëpiake ose Tegenaria shtëpiake, kurse pjesa tjetër (42.000) i llojit Prinerigone vagans. Tw dy këto lloje ndajnë të njëjtin territor në shpellë, i cili është rreth 106 metër katrorë.
Ambienti i shpellës, edhe pse armiqësor ndaj njeriut, ai strehon një faunë të pasur jovertebroreësh: shumëkëmbësh, akrepa, brumbuj dhe marimanga. Pranë hyrjes së shpellës ka edhe një numër shumë të dendur mushkonjash kironomide – rreth 2.4 milionë të tilla, të cilat përfaqësojnë burimin kryesor të ushqimit për merimangat.
Sipas studiuesve, merimangat e gjetura në Shpellën e Squfurit janë gjenetikisht të ndryshme nga “të afërmit” e tyre që jetojnë në vende të tjera, ndoshta për shkak të kushteve ekstreme ku jetojnë; errësirës, ajrit me squfur apo prej izolimit biologjik.
Në kushte normale, pra në dritën e diellit, 2 llojet e merimangave që bashkëjetojnë në këtë shpellë, do të sulmonin njëra-tjetrën.
Këto janë disa nga arsyet që e kanë bërë këtë zbulim të jashtëzakonshëm dhe që duhet vënë në mbrojtje menjëherë. Kolonia e merimangave të gjetura nuk ka asnjë kontakt me ambientin e jashtëm, kështu që studimi dhe mbrojtja e tyre e vështirëson punën, por e bën atë edhe më interesante për shkencëtarët që do të vijojnë t’i studiojnë.
