Nesër ndërrohet ora! Do të flemë 1 orë më shumë apo 1 më pak në mëngjes?
Mes të shtunës së sotme 25 tetor dhe të dielës 26 tetor, në orën 03.00, akrepat e orës do të kthehen 1 orë më pas, duke bërë kështu kalimin nga ora verore në atë që quhet ora diellore.
Për të gjithë ata që sa herë bëhet ndërrimi i orës, pyesin veten nëse do të flenë më shumë apo më pak ditën e parë, mund të themi se këtë herë do të flemë 1 orë më shumë në mëngjes, edhe pse gjatë pasdites dielli do të perëndojë më shpejt.
Ky ndryshim i orës diellore do të qëndrojë i tillë deri më 29 mars të vitit 2026, kur do të kthehet sërish ora verore.
Qëllimi i ndarjes së orëve dhe ndryshimi i tyre 2 herë në vit ka qenë që në zanafillë të saj i arsyetuar me shfrytëzimin sa më të mirë të orëve me dritë natyrale, për të reduktuar nevojën për ndriçim artificial, duke kursyer kështu energjinë.
Gjithësesi, prej vitesh tashmë flitet se impakti që kjo metodë ka në kursimin e energjisë është shumë i vogël në raport me dëmet që i shkakton jetës së njeriut, ritmit të tij biologjik, bazuar në studime të fundit apo sondazhe te banorë të Europës. I fundit që ka bërë një deklaratë publike kundër ndërrimit të orës ka qenë Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez, i cili tha se Spanja do të bënte sërish kërkesë për Bashkimin Europian, që t’i rikthehej idesë për ta hedhur poshtë ndërrimin e orës.