Ismail Kadare “i përjetshëm”, nga Parisi vjen një vlerësim i madh për të
Ambasada e Shqipërisë në Francë ka bërë të ditur një vendim historik të marrë në Paris, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.
Në rrjetet e saj sociale, Ambasada shkruan se Këshilli Bashkiak i Parisit i ka bërë një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqiptare, duke votuar me unanimitet të plotë për vendosjen e një pllake me emrin e personalitetit shqiptar në adresën “63 boulevard Saint-Michel” në Paris, vend ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite e ku u shkruan disa nga veprat e tij.
Ky cilësohet një akt që nderon jo vetëm Kadarenë dhe familjen e tij, por të gjithë kulturën shqiptare.
Kujtojmë se veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke fituar shumë çmime ndërkombëtare, çka e ka renditur atë shpesh ndër shkrimtarët më të vlerësuar të kohës.
Kadare u nda nga jeta më 1 korrik të vitit 2024 në Tirnë, e 1 vit më pas vjen ky nderim nga Parisi ku ai kaloi disa nga vitet më të rëndësishme të jetës e karrierës së tij.
