“Edhe unë njeri jam, dreqin!” – Jennifer Aniston rrëfen pse nuk ka bërë fëmijë
Aktorja e famshme Jennifer Aniston është përballur për vite me radhë me komente aspak pozitive dhe hipoteza të hedhura në rrjet nga të tjerë, rreth faktit që përse nuk ka bërë asnjë fëmijë, nga të gjitha marrëdhëniet serioze që ka pasur deri më sot.
Por sot, në moshën 56-vjeçare ajo ka vendosur t’i thotë “mjaft” çdo teorie mbi të dhe jetën e saj private.
“Askush nuk e di historinë time, e as atë çka më është dashur të përjetoj këto 20 vitet e fundit për të pasur një familje, sepse unë nuk dal nga shtëpia për t’u treguar të tjerëve problemet e mia shëndetësore.” – është shprehur aktorja amerikane së fundmi për “Harper’s Bazaar”.
“Janë vetëm punët e mia, të askujt tjetër. Por vjen një moment që nuk mund të durosh më kur të thonë se nuk bën fëmijë sepse je egoiste dhe një maniake e punës. Edhe unë jam një qenie njerëzore, dreqin!” – shprehet e indinjuar aktorja e serialit të famshëm “Friends”.
Ajo ka dashur që një herë e mirë të sqarojë të tjerët, se fakti që nuk ka ndërtuar një familje “tradicionale”, nuk ka bërë fëmijë pavarësisht martesave të saj, ka qenë për arsye shëndetësore, e aspak egoizmi apo mendimi për të vendosur vetëm veten e saj në vend të parë.