Tha se i ati e shpëtoi nga trafikimi, lirohet babai i miss-it kosovar. Ja pse ishte dënuar
Është liruar sot nga burgu babai i Miss Kosovës, Tuti Sejdiu, disa ditë pasi ajo dekarloi publikisht se i ati ishte arrestuar, dhe se ai “luftoi për të” pasi e trafikuan dhe përdhunuan në moshën 13-vjeçare.
Mësohet se shtetasi H. Sejdiu është liruar sot nga paraburgimi. Gazeta Express raporton se ai është arrestuar më 1 korrik të këtij viti nën akuzën e “Kanosjes”, ndërsa ndaj tij Gjykata Themelore e Gjilanit kishte caktuar masën një muaj paraburgim, konkretisht deri më datën 31 korrik të këtij muaji.
Por, të njëjtit me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Gjilanit i është ndërprerë masa e paraburgimit.
“Më datë 16.07.2021, Prokuroria Themelore ne Gjilan ka bere kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe gjyqtari ka aprovuar kërkesën dhe ka ndërprerë masën e paraburgimit”, ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.
Në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj H. Sejdiu, thuhet se i ai ka kanosur Kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi dhe zyrtarë të tjerë lidhur me një vendim gjyqësor.
Aty theksohet se i pandehuri ka kanosur me fjalët “bre muta, ju shkeli dhe vdes”.
“Me këtë rast janë lajmëruar organet e rendit dhe me datë 01.07.2021, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Me datë 02.07.2021, Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit”, thuhet në aktvendim.
Shtetasi H. Sejdiu është gjykuar dy herë nga Gjykata Themelore e Gjilanit: Në vitin 2019 për veprën penale “kanosje” është dënuar me 90 ditë burgim me kusht për një vit dhe në vitin 2020 për veprën penale “ngacmimi” është dënuar me 7 muaj burgim me kusht për një vit.