“Mami më thoshte ik lësho lopët”, Xheisara tregon si ia doli pa përkrahjen e së ëmës
Xheisara, një këngëtare tepër e talentuar, u bë e njohur për publikun kur konkuroi në “X Factor”.
Së fundmi, ajo ka qenë e ftuar tek Rudina dhe ka ndarë më të gjithë momentet e vështira se si u bë pjesë në program dhe si e ëma nuk besonte tek talenti i saj.
“Unë vija nga Burreli dhe merrja pjesë në ‘X Factor’. Kam qenë 15 vjeçe. Kur shikoja ‘X Factor’, i thosha mamit se një ditë do jem unë atje dhe do të fitoj. Dhe mami më thoshte: ‘Ti do fitosh?! Ti ik lësho lopët atje në fshat, s’je ti për të dalë në televizor’,” -ka thënë ajo.
“Mami nuk besonte që unë vërtet dija të këndoja, sepse thoshte: ‘Nga do dalësh ti me talent?’ Ne jetonim në qytet, por shkonim çdo fundjavë në fshatin e babait dhe mami thoshte: ‘Ti mund të këndosh kur të lëshosh lopët.’ Pastaj një ditë të bukur unë pashë që po bëheshin audicionet e ‘X Factor’ dhe i them mamit që më duheshin 10 mijë lekë për një projekt në shkollë. Ma jep mami 10 mijë lekëshin, paguaj furgonin, vij në Tiranë, hipi në autobus, vij në Klan, marr pjesë, fitoj. Më thonë që duhet të vish 4 ditë të tjera. Të katërta herët me 10 mijë lekë borxh. Ndërsa një ditë të bukur isha në divan, e dija se kur do dilja dhe po shikoja emisionin. Dal unë dhe mami që po shikonte televizorin, më shikon mua dhe më thotë: ‘Ku je ti aty?!’ I thashë: ‘Eh dola një ditë dhe lëshova lopët.’ Që prej asaj dite mami nuk më pengoi kurrë më”, ka përfunduar Xheisara.