5 mitet e rreme të bukurisë
Të bërit make up është kthyer në një rutinë të përditshme të shumë femrave. Është një ritual që na bën të ndihemi mirë fizikisht, i jep tjetër shprehi fytyrës sonë, por edhe emocionalisht. Por në botën e të bukurës qarkullojnë mite të cilat shpeshherë në bëjnë të ngremë dyshime rreth asaj që po bëjmë. Zbuloni cilat janë mitet më false në botën e kozmetikës.
Buzëkuqi i kuq nuk u shkon të gjithave: Ky është një mit fals. Të gjitha femrat mund të përdorin buzëkuq, mjafton të zgjidhni nuancën e duhur.
Vetullat duhet të jenë dy tone më të errëta sesa flokët: Ky rregull vlen vetëm për ato femra që kanë flokë në ngjyrë mjalti ose krem karameli. Femrat brune duhet të shmangin vetullat shumë të errëta pasi i bëjnë të duken më të egra në fytyrë.
Buzët tuaja do të duken më të plota nëse i mbikonturoni disa herë me laps buzësh: Mbikonturimi me laps buzësh i bën buzët të duken shumë artificiale. Provoni të aplikoni fondatinë ose shkëlqyes buzësh në zonën që njihet si harku i Kupidit të buzës. Buzët tuaja do të duken më të plota dhe shumë sensuale.
Nuk keni përse t’i lani furçat e make up-it nëse i përdoni vetëm ju: Pavarësisht ‘’pronares’’ së ligjshme ose jo të furçave të make up-it , ju duhet t’i lani ato. Përdorimi i gjatë në kohë dhe kontakti me lëkurën bën që të akumulojnë shumë baktere. Ju mund t’i lani me ujë dhe sapun të lëngshëm që i përshtatet pH-t të lëkurës suaj. Një mënyrë shumë ekonomike është dhe larja tradicionale me ujë të vakët dhe të verdhe veze.
Produktet kozmetike nuk skadojnë kurrë: Kjo është mëse e gabuar. Edhe produktet kozmetike ‘’vdesin’’ një ditë. Prandaj mundohuni të ripërtërini herë pas here çantën tuaj të bukurisë dhe të hidhni produktet që mbani prej kohësh.
Këto janë disa nga kohëzgjatjet e përdorimit të një produkti kozmetik :
Pluhurat (tonet, tonet e vetullave) 2 vjet
Korrektori 12-18 muaj
Rimeli 3 muaj
Lapsi i vetullave 2 vjet
Toni i mollëzave 12-18 muaj
Buzëkuqi/lapsat e buzëve 1 vit
Fondatina 1 vit
Kremi poshtë fondatinës 18 muaj