(foto) Dasma miliona dollarëshe indiane, torta 5-metërshe dhe show nga Jennifer Lopez
Një dasmë madhështore në Taj Lake Palace të qytetit Udaipur, që ka qenë pjesë e filmit të James Bond në vitin 1983, ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore pasi trashëgimtarja indiane Netra Mantena, vajza e miliarderit të farmaceutikës Rama Raju Mantena, u martua me sipërmarrësin e teknologjisë Vamsi Gadiraju.
Ceremonia, e cila kishte një kosto marramendëse rreth 6.7 milionë dollarë, “u pasurua” nga një listë e jashtëzakonshme e të ftuarve dhe një spektakël i paimagjinueshëm zbukurimesh dhe performancash.
Ylli i mbrëmjes ishte këngëtarja Jennifer Lopez, e cila jo vetëm mori pjesë në festime, por dhuroi edhe një show energjik me këngët e saj më të njohura dhe me veshjet provokuese.
56-vjeçarja ndezi skenën me disa performanca dhe u fotografua me çiftin e sapomartuar më pas, e veshur me një veshje tradicionale për t’ju përshtatur atyre.
Të pranishëm në festë ishin edhe Donald Trump Jr. me partneren e tij Bettina Anderson, si dhe një sërë yjesh të Bollywood-it, përfshirë Ranveer Singh, Madhuri Dixit, Kriti Sanon, Shahid Kapoor, Nora Fatehi etj.
Një nga elementët që bëri xhiron e rrjeteve sociale ishte torta gjigande prej rreth 5 metrash, e punuar si një kështjellë me detaje skulpturore nga chef-i francez i pastiçerisë, Bastien Blanc-Tailleu.
Ndërsa dasma u vlerësua shumë për shkëlqimin dhe organizimin, në Indi pati edhe kritika për shpenzime të tepruara, duke e krahasuar ngjarjen me dasmën jashtëzakonisht luksoze të familjes Ambani në vitin 2024. Por pavarësisht kësaj, çifti i të sapomartuarve do të mbajë mend gjatë momentet më të bukura të festës: qëndrimin dorë për dore dhe shikimet romantike, gëzimin e të ftuarve prezentë, tortën madhështore dhe atmosferën e pakrahasueshme të krijuar nga Jennifer Lopez.








