U harrua në ishull nga anija turistike me të cilën lundronte, humb jetën gruaja…
Të shtunën e javës së kaluar, një ekskurison me anije drejt ishullit Lizard në Australi është shndërruar në një ngjarje tragjike.
Një 80-vjeçare e cila ishte pjesë e këtij ekskursioni, është lënë pas gjatë një ndalese në një nga destinacionet dhe aty ka humbur jetën. Bëhet fjalë për një 80-vjeçare, e cila në një moment të caktuar, drejt majës më të lartë të ishullit të quajtur Cook’s Look, u largua nga grupi ndoshta për t’u çlodhur, çka ka bërë që grupi ta lërë pas, e bashkë me grupin edhe anija me të cilën do të lundronin sërish, e cila u largua për destinacionin e radhës.
Sipas BBC, anija u largua nga ishulli gjatë perëndimit dhe kur në bord kuptuan se në fakt mungonte një grua, ata u kthyen për ta marrë, por kishin kaluar disa orë tashmë dhe ishte tepër vonë për të moshuarën.
Nga ai moment nisën kërkimet për disa orë, por trupi i pajetë i 80-vjeçares u gjet të nesërmen në mëngjes. Autoritetet australiane të sigurisë detare kanë deklaruar se janë duke hetuar ngjarjen dhe do të merren në pyetje të gjithë anëtarët e ekuipazhit të kroçierës.
Kjo ngjarje ndodhi që në etapën e parë të udhëtimit 60-ditor rreth Australisë, biletat për të cilin kushtojnë mijëra dollarë. Anija e “Coral Adventurer” është ndërtuar posaçërisht për të arritur zonat më të largëta e më të vështira të brigjeve australiane, por mesa duket bordi nuk është kujdesur të ketë vëmendjen maksimale për gjëra më pak të komplikuara, si kontrolli i të gjithë pasagjerëve në anije. Gjithësesi, policia e Queensland ka deklaruar se do të bëjë shumë shpejt një raport për t’ja dërguar mjekut ligjor në lidhje me vdekjen “e papritur” të të moshuarës, që të zbardhet plotësisht e vërteta.