Sezoni i fundit i “La Casa De Papel”, nga kapja e “Profesorit” tek vdekja e Tokyos
Seriali, La Casa de Papel, është rikthyer në Netflix me sezonin e pestë dhe të fundit. Ky sezon do të jetë i ndarë në dy pjesë. Pesë episodet e para janë publikuar ditën e djeshme dhe pesë të fundit, që do të shënojnë mbylljen e këtij seriali, do të publikohen në dhjetor.
Seriali ka tërhequr miliona ndjekës në mbarë botën, duke qenë një ndër më popullorët në historinë e Netflix.
Po çfarë ndodh në sezonin e pestë?
Si gjithmonë, një shpërthim aksioni. Banda e grabitësve, nën udhëheqjen e “Profesorit”, vijon përpjekjet për nxjerrjen e arit nga Banka e Spanjës. Në këtë sezon ushtria ndërhyn, duke sjellë skena të papërsëritshme aksioni dhe mjaft adrenalinë. Banda do të duhet të mbijetojë për një kohë të gjatë edhe pa komandën e profesorit, i cili zbulohet nga agjentja Alicia Sierra.
Në episodin e pestë, vdes një nga protagonistet më të dashura të serialit, Tokyo, e interpretuar nga aktorja Ursula Corbero.
Pesë episodet e fundit të këtij seriale, që do të shënojnë mbylljen përfundimtare të tij, do të shfaqen në Netflix në 3 dhjetor 2021.