Sorry, no posts matched your criteria.

“Më gjetën një vrimë në zemër!” – Artisti Childish Gambino tregon arsyet që e mbajtën larg skenës

Muzikanti, aktori dhe producenti Donald Glover, që njihet në publik me emrin e tij të artit “Childish Gambino” është rrëfyer rreth problemeve shëndetësore që e kanë mbajtur larg skenës këto kohë, duke bërë që të anulojë edhe turin “New World Tour” vitin e fundit.

“Në Louisiana kam vuajtur nga një dhimbje koke e tmerrshme, por pavarësisht kësaj performova. Nuk mund të shihja tamam, dhe kur shkuam në Houston u vizitova te një mjek i cili më tha se kisha pësuar një goditje në tru.” – u shpreh artisti pas një performance të tijën në festivalin “Camp Flog Gnaw” që organizohet nga Tyler, The Creator.

Por teksa tregonte këtë histori me shaka, se ishte duke “kopjuar” artistin tjetër Jamie Foxx, i cili në vitin 2023 u shtrua në spital pas një problemi që mund të ishte fatal, Glover rrëfeu për një tjetër shqetësim shëndetësor.

“Mjekët më kanë gjetur një vrimë në zemër, kështu që m’u desh të bëja 2 ndërhyrje. Një shprehje thotë se të gjithë kemi 2 jetë; e dyta nis kur kuptojmë që në fakt kemi vetëm 1. Jetën duhet ta jetojmë ashtu si duam. Nëse do duam ta bëjmë prapë këtë gjë, sigurisht që do të bëhet më mirë.” – tregoi Donald historinë që la pa fjalë personat prezentë.

Kujtojmë se “Childish Gambino”, në shtator të vitit 2024 u detyrua të shtyjë datat e turit të tij “The New World Tour” në Amerikën Veriore, për shkak të problemeve shëndetësore që asokohe nuk ishin ende të qarta. Më vonë, pasi diagnoza u zbulua, turi u anulua plotësisht në mënyrë që të ndiqte kurimin e duhur.

Muzikanti është shprehur mirënjohës ndaj durimit dhe mirëkuptimit të fansave të tij gjatë gjithë kësaj kohe, që e kanë mbështetur pavarësisht anulimit të performancave në vende të ndryshme të botës. Ai u ka premtuar atyre që në momentin e duhur do të japë shfaqjet që do të jenë të paharrueshme për këdo.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com