“Larg teknologjisë dhe toksicitetit” – Historia e familjes me 3 fëmijë që jeton mes pyjeve
Ata jetojnë një jetë jashtë skemave tradicionale: pa ujë të rrjedhshëm, pa energji elektrike veç asaj të prodhuar nga panelet diellore, një sobë, dru për t’u ngrohur dhe një pus për ujë.
Catherine Birmingham, një australiane 45-vjeçare, së bashku me bashkëshortin Nathan Trevallion 51 vjeç jetojnë me 3 fëmijët e tyre të vegjël të rrethuar nga kafshët dhe qetësia e provincës, afër qytezës së Chietit në Itali. Ata e mbrojnë me ngulm mënyrën e tyre të jetesës, pavarësisht se Shoqata e Mbrojtjes së fëmijëve e Aquilas ka kërkuar që atyre t’u hiqet e drejta e kujdesit për fëmijët.
Gjithçka nisi kur në shtator të vitit 2024, e gjithë familja u shtrua në spital pas helmimit nga disa kërpudha të mbledhura në pyll. Gjatë shpëtimit, autoritetet zbuluan mënyrën e tyre të jetesës dhe menjëherë njoftuan shërbimet sociale.
Këto të fundit raportuan për kushte jetësore jo të përshtatshme, mungesë të një pediatri dhe izolim social. Por ajo që më shumë i shqetësoi autoritetet lokale ishte zgjedhja e prindërve për të mos i edukuar fëmijët e tyre duke i çuar në shkollat tradicionale, por nëpërmjet metodës “un-schooling”, që shihet si një mësim i lirë, pa programe dhe detyrime shkollore.
Për këtë arsye prokuroria ka kërkuar heqjen e kujdestarisë së fëmijëve për çiftin, por ndërkohë që vendimi pritet të merret, familja është ende e bashkuar dhe shijon mënyrën e vet të jetesës. Avokati mbrojtës shprehet se këtu nuk kemi të bëjmë me rast dhune apo degradim të jetës, por me një familje të pavarur ekonomikisht që ka zgjedhur të jetojë një jetë alternative, e shtyrë nga ideali i lirisë dhe në respekt të natyrës.
Edhe vet çifti i mohon të gjitha akuzat, duke shprehur se ditët e tyre janë krejtësisht normale: jetesë në natyrë, përkujdesje ndaj kafshëve dhe shikim i dokumentarëve në telefonë 1 herë në javë.
“Fëmijët janë të qetë, me shëndet të plotë dhe ndiqen nga një pediatre. I çojmë në park për të njohur dhe fëmijë të tjerë. Nuk jetojmë plotësisht të izoluar.” – shprehet mamaja Catherine, që tashmë jep konsulenca spiritualiste online, ku përfiton edhe donacione nga ata që e ndjekin. Sipas saj, fëmijët duhet të rriten larg toksicitetit dhe teknologjisë, por njëkohësisht duhet të mësojnë të respektojnë natyrën, kulturat dhe besimet e ndryshme.
Nga ana e tij, babai Nathan rrëfen se nuk jetojnë të izoluar në brendësi të pyllit dhe 1 herë në javë shkojnë për të bërë pazar në market. Thjesht kanë zgjedhur të jetojnë larg zhurmës, me ujin e pusit, drutë për t’u ngrohur dhe panelet diellore.




