Kristen Stewart flet për rolin si Lady Diana: Një grua e çmendur dhe e lirë
Në garë në Festivalin e Filmit “Mostra”, në Venecia, filmi “Spencer” sjell ish-vogëlushen e “Twilight”, tashmë një grua e re e talentuar, Kristen Stewart, të transformuar në Princeshën e Uellsit, Lady D.
Çfarë ka mbetur ende e panjohur për një person aq shumë mediatik, të dashur, popullor, të fotografuar, të ndjekur (deri në pasojat ekstreme të aksidentit rrugor nën urën Alma, në Paris, më 31 gusht 1997), siç është Lady D?
E megjithatë, regjisori kilian Pablo Larrain, i cili tashmë pati kthyer në ekranin e madh një personazh tjetër të ndërlikuar, si Jacqueline Kennedy në filmin “Jackie”, është përpjekur sërish.
Në film, i cili alternon ekstravagancën poetike, madje edhe skena thriller, Stewart vesh disa nga rrobat që janë në imagjinatën popullore të lidhura me Dianën, por misioni i saj është diçka tjetër, përveç risjelljes në kujtesë të ngjashmërisë së tyre.
“Diana, një ikonë e famshme, një vajzë e re e bukur, por mbi të gjitha një person i aftë të krijojë, edhe në një situatë kaq të privilegjuar, një kontakt me njerëzit, një ndjeshmëri të menjëhershme, e cila e bëri atë të zbresë në tokë, te njerëzit e zakonshëm”, shpjegon Larrain.
Filmi përqendrohet në fundjavën në të cilën një Diana e vuajtur dhe e brishtë vendosi të merrte sërish në dorë frerët e jetës së saj: ishin Krishtlindjet 1991, të kaluara me familjen mbretërore në Kështjellën Sandrigham, në Norfolk.
Tri ditë dëshpërimi dhe përpjekjesh për t’u distancuar nga një familje të cilën ajo nuk mund ta duronte dot më, ndërsa fotografët fotografonin më shumë atë, sesa Mbretëreshën.
Nga ana e saj, Stewart u shpreh se “Kontakti i Dianës është i paarritshëm. Ishte një angazhim i madh për ta luajtur atë. Më pëlqeu çmenduria e saj, paparashikueshmëria, ankthi për të qenë e lirë, në një kontekst që ishte me të vërtetë një kafaz i artë (…). Shpresoj ta kem treguar qartë sesa e gjallë dhe e lirë ishte ajo, një njeri me të vërtetë i veçantë”.