Sorry, no posts matched your criteria.

Klodiana Shala: “Shqipëria ka burra, por vuan për burrëri…!”

E kudogjendur në emër të sportit, të së bukurës, së duhurës dhe të domosdoshmes. Me hapin e pandalshëm të atletes, tashmë garat e saj kanë tjetër formë; jo më atë drithëruesen, marramendësen, dehësen dhe të mahnitshmën, atë të kampiones së madhe në Lojëra Olimpike, në disiplina 100 metërshi, 200, 400, apo 400m me pengesa, atë që intusiazmonin shqiptarët dhe që ia kishin skalitur fort në memorie emrin, por atë të misionit pa kufij! Po flasim për Klodiana Shalën, rekordmenen e njohur të atletikës, vajzën çapkene që sa e sheh në televizion, teksa jep ‘receta’ sporti për shqiptarët, menjëhrë e gjen tek palestra e saj, tek protestat e shqiptarëve, atëherë ku s`ka parti politike e, më pas, tek aktet e shumta të bamirësisë. Ajo është këtu! Vazhdon të ushqejë misionin e saj për sportin e për nevojën e çdokujt për tu marrë me të. E vetëdijshme për gjithçka ka ndodhur me sportin dhe sportistin në vendin tonë, në kohën tonë, ajo nuk ngurron të fshikullojë politika e qeveri, ministri e të gjithë ata aktorë që kanë patur detyrë mëkëmbjen e sportit. Nuk harron të kujtojë kohën e vet; atë kur stërvitej vetë e në kushte të këqija, po ashtu as të kërkojë forma dhe mundësi që sporti të kthehet në këtë vend dhe të ngrihet në nivelin të paktën e sportit në Kosovë. Në një rrëfim të gjatë do të gjeni fakte, ide, ndjesi,e pse jo, edhe dëshira. Klodiana, kampione, mendon, vepron, beson e dëshiron si e tillë…

Rrëfimi

1-Si nis dhe mbyllet një 24 orësh i një kampioneje atletike?

Dita ime fillon dhe mbaron me një disiplinë të hekurt sepse ky ka qenë stili im i të jetuarit qëkurse nisa sportin në moshë të mitur. Do të thotë; një zgjim që në orën 07 .00 dhe shtrirje në krevat në orë 22.00. Zgjimi shoqërohet shpesh herë me ecje sportive nga Liqeni ose dhe përgjatë Bulevardit dhe me pas kapuçino në kafe të lagjes ose ndonjë bar pa popullim. Më tej, axhenda vazhdon me takime si për punë ose për mësimdhënie tek UET ashtu edhe për komunikim shoqëror. Pasditet në shtëpi janë shumë më të shpeshta sesa jashtë saj, pasi unë sa njihem si tip social dhe i hapur, po aq jam dhe një natyrë diskrete dhe e pashoqërueshme kollaj në jetën time private. Më pëlqen të gatuaj vetëm ushqime të shëndetshme dhe shpesh të propozoj modele për veshje tek stilistja ime. Orët më të shumta i kaloj në palestër e cila shërben dhe si një pikë takimi për shoqërinë dhe miqësinë time!

2-Vijoni me përkushtim sportin po tashmë në një formë tjetër; ishte nevojë apo mision..?

Sporti për një sportist profesionist e, aq më shumë për një kampione, mbi gjithçka është pasion dhe më pas profesion. Në këtë prizëm, asnjëherë nuk e kam parë sportin si një profesion zyre apo biznesi, çka do të thotë punë me orar! Unë e kam sportin në gen! Është pjesë e jetës sime në çdo ditë aq sa shpesh herë më duket sikur kam lindur duke vrapuar. Pra nuk mund të heq dorë prej tij përveçse ditën kur të pushoj së marruri frymë. Dhe mënyra më e përshtatshme në këtë moshë mbetet si trajnuese, si mësuese, por dhe si një mision ndërgjegjësimi, edukimi për shoqërinë dhe, sidomos, për të rinjtë. Ju e shihni që unë përpiqem të jem prezent në aktivitete publike dhe media pikërisht për sportin si mision!

3-Ç`do të thotë për një sportiste e kalibrit botëror të kalojë nga e trajnuar në trajnuese..?

Në fakt dua të bëj një sqarim të vogël tek kjo pyetje: Në kohët kur unë u përgatita dhe u formova si atlete, më së shumti trajnohesha dhe stërvitesha pothuajse vetë. Sepse kishte një mungesë kushtesh dhe infrastrukture minimale për atletët. Vetëm me një disiplinë të hekurt ia dola mbanë dhe me sukses shumë përballjeve

Sigurisht pa mohuar kontributin e jashtëzakonshëm të trajnerëve sportistë!

Pra për të ardhur tek pyetja juaj për ndryshimin nga e trajnuar në trajnuese mund të them se; përcjell ekspëriencën dhe përvojat më të mira tek të rinjtë apo edhe brezat më të rritur; të ngjall një emocion të veçantë! Dhe përgjegjësia është e madhe që të merresh me edukimin sportiv dhe me stërvitjen e brezave të ndryshëm!

4- Kur dëgjohet emri Klodiana Shala menjëherë të vjen në mend; gara dhe garimi! Si është të jesh në garë…?

Garat kanë qenë kohët më të bukura por dhe sfidat më të vështira për mua. Të vraposh është garë me të tjerët por dhe një tejkalim i vetes. Unë sensin e garës e kam në gjak, sens të lindur. Sa më shumë dhe fort stërvitesha para kampionateve dhe garave, aq më e egër bëhej ambicia ime për medalje dhe kapje rekordesh të reja.

5- Çfarë s`keni harruar nga koha e të qenurit kampione, rekordmene dhe mbajtëse e Flamurit tonë në tri lojëra Olimpike?

E gjithë jeta ime, mendimet, ndjenjat e mia janë të lidhur më garat e vrapimit. Ato kanë përcaktuar në mënyrë definitive karakterin tim. Unë kur i hyj një pune, sado të thjeshtë, vrapoj…vrapoj deri sa t`ia dal mbanë, në krye. Emocionet kanë qenë të jashtëzakonshme, të papërsëritshme sepse unë fitoren e shihja mbi të gjitha si një trofe për kombin, për Flamurin kuq e zi. Fitorja, si qëllim personal në vetvete, ka qenë gjithmonë e fundit.

Duatrokitjet e shqiptarëve, brohoritjet e tyre, sidomos e emigrantëve diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ishin për mua ushqim i shpirtit dhe një serum i pazëvendësueshëm për forcimin e muskujve.

Flamuri kuq e zi është flamuri më drithërues në botë për ne sportistët, artistët dhe të gjithë ata shqiptarë nëpër botë që kanë arritur rezultatet e tyre me mund, djersë, sakrificë për të cilin do të vraponin si shqiponjë për ta kapur nëse dikush do e hidhte në tokë. Unë jam me genin e shqiptarisë më të flaktë; atë të gjakovares së lindur dhe rritur në Tiranë!

6- Cilët janë momentet më pikante që s`do të shqiten asnjëherë nga mendja në ato përfaqësime?

Unë kam filluar në vitin 1994 dhe medaljen e parë, në kampionatin Ballkanik dhe pastaj po në `94-n vendi i 4-t në Lojërat Olimpike Rinore në Angli. Kam medalje në Ballkan, te Lojërat Mesdhetare, kampionatet europiane dhe shumë mitingje nderkombëtare. Jam rekordmene në 5 disiplima; 60m dhe 200m në salla të mbyllura dhe 100m, 200, 400 dhe 400m me pengesa!

7-Ju tashmë jeni trajnuese njerëzish me probleme dhe vullnete të ndryshme; a garojnë shqiptarët? Dhe sa e gatshme është shoqëria jonë për sportin, jo vetëm për dukjen po edhe për thelbin?

Unë kam vite që e them si mesazh dhe drejtoj apelin publik që shoqëria shqiptare është shumë mbrapa me edukimin dhe praktikën e sportit. Psh, një nga meritat e pakta që ka patur shkolla, gjatë diktaturës, ka qenë disiplina e jashtëzakonshme sportive qysh me fiskulturën e mëngjesit para se nxnënësit të hynin në klasa.

Fiskultura ka qenë një lëndë serioze me profesorë të mëdhenj dhe ndihmoi shumë në edukimin dhe forcimin e brezave.

Sot në shkolla fiskultura merret joseriozisht, për të mos thënë me tallje. E shoh me shqetësim ndikimin që ka mungesa e këtij edukimi fizik në shkolla. Indiferenca dhe përtacia e madhe që ka kap adoleshentët po sjell breza problematikë dhe afrim të rrezikshëm të tyre te drogat edhe tek elementët kriminalë. Hobi i tyre mbetet instagrami dhe lokalet, ndërkohë që sportin e shohin si një lloj angarie apo thjeshtë një mënyrë për të kaluar kohën.

Në fakt, sporti duhet kthyer një regjim i rregullt i jetës, sikurse higjena personale apo ushqimi në mënyrë të shëndetshme. Gjatë gjithë kohës së karantinës i kam mëshuar mesazhit si në mediat elektronike ashtu edhe ato online se; vetëm sporti krijon imunitet dhe është vaksina më efikase kundër çdo lloj virusi.

8-A po vdes sporti, ai përfaqësuesi…?

Sporti është në një krizë të thellë mbi të gjitha morale, pastaj financiare. Kur them morale lidhet me braktisjen dhe shpërfilljen që ndiejnë sportistët si ata me medalje e kampionë ashtu edhe ata që janë në hapat e parë. Mungojnë kushtet bazë dhe infrastruktura si dhe, mbi të gjitha, përkrahja e shtetit në drejtim të trajtimit financiar. Të paktën mbështetja e publikut dhe e sportdashësve është një motiv i fortë që i mban sportistët aktivë  dhe me shpresë se gjërat do të ndryshojnë.

Për të kthyer përgjigjen direkte mbi problemet mjafton t`i referohemi atletikës, ku mund të përmend mungesën e plotë të ambienteve për stërvitje, pistat profesionale, mungesa e forumeve dhe takimeve konsultative me federatat apo Ministrinë. Ju e shihni që prej vitesh ne, sportistëve, nuk na thërret njeri zyrtar apo funksionar i lartë për të trajtuar hallet dhe mangësitë e shumta që sporti dhe sportistët vuajnë. Për të dalë më pas tek shpërblimet qesharake apo mungesa e pensioneve që është një superhall  më vete.

Nuk ka asnjë vullnet nga cilado qeveri që të ulet e të shqyrtojë problemet siç duhet të sportit. Politikanët kujtohen se janë borxhlinj ndaj nesh vetëm kur sportistët marrin medalje dhe ngrenë flamurin kombëtar. Aty bëjnë sikur ndihen keq; bëjnë komplimentet, urimet e radhës. Pastaj premtojnë dhe, në fund, çdo gjë rezulton gënjeshtër!

Mungojnë dhe aktet ligjore por dhe kur ato janë shkruar bukur nuk ka njeri vullnet t`i realizojë sepse për politikën sporti është një passion dhe luks dhe jo kulturë apo mënyrë jetese. Kjo dëshmon dhe një mendësi të cunguar dhe konsideratë tepër të ulët që shteti dhe politika ka për sportin. Nuk po marrim shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ap shtetet e tjera të Europës çfarë vlerësimi i bëjnë sportit, por, të paktën, të marrin shembull Kosovën!

Jeni shumë aktive edhe në jetën publike, tashmë e njohur madje, ç`mund të na thuash për këtë agazhim qytetar?

Një sportiste në nivel kampioneje nuk i përket vetëm vetes së saj, por duhet të jetë dhe një shqiptare shumë e angazhuar dhe e përfshirë në ngjarjet e vendit. Jam e drejtpërdrejtë në mendimet e mia apo dhe në qëndrimet të herëpas`hershme që mbaj si ndaj politikës ashtu edhe ndaj problemeve të rënda sociale që vuan vendi ynë.  Mundohem shumë të përfshihem në nisma bamirësie dhe solidariteti ndaj shtresave në nevojë të cilët gjej rastin tu shpreh edhe një herë vlerësimin tim më të madh për dinjitetin që ata përcjellin me pamundësinë e tyre! Kështu, me këto angazhime, e kam kuptuar unë rolin e të qënurit figurë publike, më tepër si detyrim moral sesa përfitime nga të qenurit kampione. Medien e adhuroj për pushtetin dhe fuqinë që ka në një shoqëri dhe mundohem shumë të respektoj dhe të plotësoj kërkesat e gazetarëve. Në media mundohem të jem gjithmonë aktive për edukimin dhe ndërgjegjësimin e rëndësisë që ka sporti por dhe për problemet që kanë disiplinat e shumta sportive në Shqipëri. Shumë prej gazetarëve sportistë i kam shokë, miq e mikesha dhe, me thënë të drejtën, gëzoj vlerësim të madh për këtë profesion. Mendoj se mediat do e ndryshojnë për mirë Shqipërinë pasi do të zgjojnë shqiptarët nga gjumi dhe frika që i ka kapur.

Nga ana tjetër shkoj rregullisht dhe marr pjesë me kënaqësi në çdo protestë, veçanërisht ato që organizon shoqëria civile apo dhe spontane. Vetë nga natyra jam e brishtë dhe rebele njëkohësisht, prandaj edhe më trishton shumë padrejtësia dhe varfëria e madhe që është ulur këmbëkryq mes shqiptarëve. Atyre që punojnë me ndershmëri! Po kaq shumë shqetësohem nga jeta e luksit që bëjnë shumë të tjerë pa pasur asnjë meritë, po thjeshtë, siç e thonë dhe vetë shumica e këtyre milionerëve, pa djersë; “qëllova në vendim e duhur dhe kohën e duhur”. Një nga çështjet ku angazhohem rregullisht janë dhe të drejtat e grave dhe përpjekjet kundër dhunës ndaj tyre si dhe ndaj fëmijëve. Kam qenë për një kohë të gjatë përfaqësuese e fushatës së PNUD për zhvillimin e grave dhe forcimin e të drejtave të tyre. Mendoj se sportistet vajza janë modeli perfekt për të dhënë mesazhin e nevojës për ndryshim dhe zhvillim tek të rejat dhe gratë shqiptare.

Përtej publikes, asaj që njohim, çfarë mund të ndaj me ne nga jeta private, Klodiana Shala?

Në miqësi vlerësoj si kryesoren sinqeritetin dhe besën, këto për mua janë dy tipare kyç të karakterit qoftë për burra qoftë për gra. Shoh që me kalimin e kohës miqësia e vërtet dhe e qëndrueshme sa vjen e ngushtohet dhe ti kupton se pamja apo postreti engjëllor i dikujt nuk ka lidhje fare me botën e brendshme të këtij personi. Janë vetëm ngjarjet, mundësisht ato të vështirat, që nxjerrin në dukje karakterin e miqve dhe shoqërisë që ke pranë.  Dhe me vjen keq se shumicën e këtyre do t`i kemi pranë. Unë mundohem të bëj të pamundurën dhe bëhem copash për shumë njerëz, ku ka prej tyre që nuk e kanë merituar mundin. Besoj se e mira dhe ndihma kthehen në një farë mënyre si shpërblim! Për jetën private më mirë ta lëmë pa zbuluar sepse nuk kam çfarë të them një gjë konkrete. Në një moshë të pjekur është shumë e vështirë të pranosh në krah dikë që nuk i afrohet modelit të burrit që ti ke dëshiruar. Unë them se Shqipëria mund të ketë burra me shumicë por vuan për burrëri…

Ndërsa familjen e ardhshme e shoh në një shtëpi të ngrohtë, me fëmijë, me shumë dashuri dhe me pasion për të gatuar shumë gjëra. Ëndërroj të kem një djalë me sytë e mi dhe me sjellje e inteligjencë nga babai. (Në pritje, ahahah). Edukatën dhe disiplinën do t`i marrë me standartet e një kampioneje. Kam bindjen e fortë se një familje të ngrohtë nuk e ngre paraja, dhe pse nuk jam kundra që duhet! Është mirëqënia ajo që bën një shtëpi më me shumë harmoni dhe shpresë!

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com