
Jeta Kelmendi Thaqi: Sky is the (only) limit
Thonë se nuk duhet të shohim se sa kemi arritur sukses në gjënë që duam, por sa kemi arritur të mbijetojmë në fushën përkatëse ku ne kemi zgjedhur të jemi pjesë. Në të njëjtën linjë duket sikur ka kaluar edhe Jeta Kelmendi Thaqi, e cila pranon për Global Woman se rrugëtimi i saj në fushën e biznesit nuk ka qenë aspak i lehtë. Por në ndryshim nga shumë modele suksesi që kemi njohur dhe intervistuar, Jeta ka një vecanti shumë të madhe… sepse ja ka dalë të frikërat e saj më të mëdha dhe me shumë vullnet e trimëri të përballet me to. Siç bën çdo grua dhe nënë e fortë, andaj në këtë intervistë do të mësoni shumë për të. Mos e humbisni!
1)Tre fjalë që përshkruajnë Jeta Kelmendi Thaqin
1.E vendosur – e kam pas gjithmonë të qartë çfarë dua nga vetja dhe jeta
2.E sinqertë / empatike
3.Luftëtare, gjej gjithmonë mënyrën për të arritur atë që dua.
Nga familja dhe miqtë e mi cilësohem gjithashtu si një person me karakter të dashur,e hapur, pozitive dhe bashkëpunuese.
2)Na zbulo një plan për të ardhmen…
Në këtë pyetje s’do doja të shpalosja shumë që të lë kuriozitet e të jem përsëri pjesë e “Global Woman” (qesh). Plane kam shumë dhe këtë vit kam vendosur që të jem më e përkushtuar në profesionin tim. Dua të krijoj kurset e mia, trajnime, seminare në fushën e Zhvillimit personal dhe atë Spiritual.

3)Arritja më e madhe …
Këtë përgjigje do t’a jap në rrafshin e zhvillimit tim personal/ shpirtëror ( Spiritual).
Përveç arritjeve të mia sa i përket Edukimit – Shkollimit/ Dekoratave me Diploma e mirënjohje profesionale do të them që arritja më e madhe në procesin tim, në krijimin e jetës që jam sot ka qenë njohja e frikërave të mia dhe përballja me to. Të arrish të zhvishesh nga bindjet apo pritshmëritë që marrim që nga fëmijëria qysh nga familja, shoqëria dhe të jetosh veten tënde autentike për mua vlen të cilësohet si arritja më e madhe.
4)Sfida më e madhe….
Po ju citoj një thënie që mua më pëlqen shumë:
“Nuk kam takuar kurrë një person të fortë me një të kaluar të lehtë”. Për mua vetë jeta ka kuptimin e një sfide të vazhdueshme me qëllimin që ne të arrimë të ngrihemi, të bëhemi versioni më i mirë i vetes, më të ditur në aspektin mental e atë shpirtëror. Sfidat janë mësime dhe në bazë të tyre ne arrijmë të njohim veten tonë, të eksplorojmë pjesë tona që akoma si kemi njohur deri në momentin e asaj sfide. Sfidat tregojnë fuqitë dhe dobësitë e karakterit tonë.
Ndër sfidat më të vështira që i them vetes e kam kaluar me sukses… (qesh) ka qenë kur para 10 vitesh erdha në një shtet të huaj, pa ditur gjuhën, pa pasur familjen afër dhe duke filluar nga zeroja në aspektin privat dhe atë profesional.
5)Suksesi në biznes dhe profesion ju ka sjellë probleme në familje?
Probleme nuk do të thoja por sfida, sakrifica dhe tek tuk edhe ndonjë hatërmbetje . Por jo diçka që do të sillte probleme në familjen tonë.
Kur një familje ndërtohet mbi bazat e dashurisë, respektit, vlerësimit dhe kur komunikimi nuk mungon arrin të bëhet më e fortë dhe imune në çdo sfidë që has .

6)Po bashkëshorti i juaj ndihet i lumtur për arritjet tuaja?
Padyshim që po. Madje është krenar dhe ka qenë përkrahësi im në ditë të mira e të vështira .
Bashkëshorti im është një sipërmarrës i suksesshëm në fushën e tij të biznesit. Ai e di sa e rëndësishme është përmbushja jo vetëm në aspektin privat por edhe atë profesional. Kjo m’a ka bërë edhe më të lehtë dhe është një përkrahje dhe mirëkuptim shumë i madh nga ana e tij. Pasi përvoja e tij në biznes është më e gjatë se e imja dhe mund të them me bindje se kam përfituar nga përvoja, këshillat ,idetë dhe sugjerimet e tij. Përveçse bashkshortë jemi edhe partnerë të mirë në biznesin tonë familjar .
7)Si është jeta juaj si nënë?
Jam një nënë e përkushtuar dhe këtë gjë e them me plot bindje pasi kam sakrifikuar gjëra të tjera nga vetja, dëshirat e mia, puna ime që të jem më shumë prezente në rritjen e fëmijëve.Sidomos vitet e para, ku prania e nënës është shumë e rendësishme dhe thelbësore në jetën e tyre.
Nga fëmijët kam mësuar si të jetosh në momentin prezent dhe se si me gjëra të vogla je i lumtur. Së bashku me fëmijët jemi eksplorues , kuriozë dhe na pëlqen të bëjmë qejf me njëri-tjetrin. Luajmë, ngjyrosim, vallzojmë, bëjmë shumë udhëtime dhe jemi gjithmonë në kërkim të eksperiencave të reja.
Bisedoj shumë me ta, kur gaboj i kërkoj falje .
Si çdo nënë pasi i vë fëmijët në gjumë, pyes veten a isha një nënë e mirë sot, ku gabova, si duhet të reagoj herën tjetër. Jemi njerëz dhe perfektja nuk ekziston, por mundohem që t’ju dhuroj sa më shumë dashuri e kujtime të bukura.
8)Pse ndihesh krenare sot ?
Ndihem krenare për veten dhe për familjen time të mrekullueshme. Ndihem krenare që gjatë rrugëtimit tim deri sot , kam përjetuar sfida, gjëra të bukura, vështirësi, suksese e humbje, jam rrëzuar por jam ngritur përsëri. Nuk jam dorëzuar asnjëherë për të arritur ëndrrat e mia. Krenare që mësova të lundroj me mjeshtri në valët e jetës. Dhe sot krenohem që kam një familje të shëndetshme dhe të mrekullueshme, krenare që kam realizuar një pjesë të ëndrrave dhe dëshirave të mia.