Sorry, no posts matched your criteria.

“Eleganca fillon nga flokët” … Këshillat e vjeshtës nga “hairstylist-i” i VIP-ave në “Global Woman Beauty”

Ndërsa temperaturat fillojnë të ulen dhe ngjyrat e ngrohta të vjeshtës marrin jetë, ndryshon edhe mënyra se si duam të dukemi. Garderoba rifreskohet, makeup-i po ashtu por edhe flokët… të cilat kërkojnë më shumë liri. Më pak kontroll, më shumë teksturë, më pak perfeksion dhe më shumë ndjesi.

Këtë filozofi ndan edhe Roelio, hairstylist-i i njohur në skenën shqiptare të bukurisë, pjesë e “Global Woman Beauty” dhe mjaft i preferuar nga shumë figura publike. I rritur profesionalisht mes pasarelave dhe eksperiencës së gjatë me brandin e Aurela Hoxhës si dhe mes eksperiencave të “Milano Fashion Week”, Roelio sjell një qasje moderne, por të arritshme dhe këtë vjeshtë dhe na sugjeron të zgjedhim stile që janë njëkohësisht elegante por dhe praktike.

Sipas tij, topuzi i pastër rikthehet si një nga zgjedhjet më të sigurta për ditët kur duam të dukemi të kuruara pa shumë përpjekje. Nuk ka nevojë për forma të komplikuara mjafton një kapje e qartë, me fijet të krehura pas, që të sjellë menjëherë një ndjesi elegance klasike.

Nëse kërkoni diçka më të lirshme, atëherë është momenti të përqafoni versionin më lozonjar të tij: topuzin e çrregullt, që duket sikur është kapur në dy minuta, por të ketë një strukturë që e mban gjallë gjithë ditën.

Flokët e kapura poshtë, si bishti i ulët apo topuzi i ulët, janë gjithashtu në qendër të vëmendjes këtë sezon. Nuk bëhet fjalë për thjeshtësi të mërzitshme, por për një minimalizëm me karakter që tregon qartësi në stil.

Nëse preferoni flokët e lëshuar, atëherë vjeshta është stina për të eksperimentuar me valëzimet e natyrshme, larg kaçurrelave të forta dhe stilimeve të ngurta. Ai sugjeron përdorimin e produkteve të lehta, që theksojnë teksturën natyrale të flokëve dhe e lënë atë të marrë formë sipas lëvizjes suaj të përditshme.

Një tjetër detaj i vogël, por me shumë ndikim këtë sezon, janë aksesorët. Jo ata të mëdhenjtë që kërkojnë vëmendje, por elementë të vegjël, diskretë  një karficë me perla apo një shirit i errët kadifeje. “Janë si bizhuteritë për flokët,” – thotë Roelio, duke shtuar se këto detaje kanë fuqinë të transformojnë një stil të thjeshtë në diçka të veçantë, pa e bërë të duket e rënduar.

Më shumë se thjesht trende, këto janë qasje ndaj stilit që reflektojnë edhe mënyrën si ndjehemi me veten. Vjeshta është stina e rikthimeve, por edhe e fillimeve të reja. Dhe ndoshta, është koha e duhur për t’i dhënë edhe flokëve një mënyrë të re për të folur për ne pa zhurmë, por me stil.

POST A COMMENT

PHP Code Snippets Powered By : XYZScripts.com