E varur nga droga dhe jokorrekte në punë?! Përgjigjet aktorja Julia Roberts…
Aktorja e famshme e shumë roleve dhe e shumë çmimeve njëkohësisht, Julia Roberts ka dhënë një intervistë vërtetë interesante së fundmi në programin “Watch what happens Live” me Andy Cohen.
Ndër të tjera, ajo u është përgjigjur pyetjeve më pikante të publikut, të cilave u ka kthyer përgjigje pa hezitim. Ajo çka ka ngjallur më shumë kuriozitet është përgjigja që Roberts i ka dhënë pyetjes se cilat kanë qenë thashethemet më të mëdha që ka dëgjuar për veten.
“Kam dalë me djem të cilët në fakt nuk i kam takuar kurrë. Apo, kam qenë e varur nga droga dhe vonohesha gjithmonë në punë. Madje kjo e fundit më ka mërzitur më shumë se varësia nga droga” – u shpreh Roberts duke qeshur, pasi e cilësoi veten si një njeri shumë korrekt që nuk është vonuar kurrë për në punët e saj. Ajo tha se në fakt shumë gjëra që shkruajnë mediat për personazhet e famshëm janë “çmendurira”.
Më tej, kur u pyet nga drejtuesi i programit nëse ka pasur ndonjëherë histori të përdorimit të drogërave, ajo rrëfeu një rast me një shoqen e saj. “Në fakt jo. Kam konsumuar marijuanë vetëm një herë me një shoqe që ishte e mësuar me këtë gjë, dhe thjesht thashë ‘çfarë po ndodh’?” – u përgjigj aktorja, duke shtuar se në fakt ishte diçka që nuk bënte për të. Ajo çka vërtetë i shijonte mund të ishte një gotë verë e kuqe apo një gotë vodka.
