“Dashuri dhe Turbulenca”, komedia që ‘shkriu’ Tiranën
“Dashuri dhe Turbulenca” ishte kryefjala e javës. Filmi i parë i Rudina Dembacajt si producente bëri që gjithë Tirana të flasë për të. Komedia e suksesshme u shfaq premierë mbrëmjen e djeshme në kinema “Millenium” dhe publiku kishte kohë që nuk shihte të tillë realizim. Alesia Xhemalaj, Gentjan Zenelaj, Amos Zaharia, Sara Kolami dhe Rudina Dembacaj ishin disa nga aktorët kryesorë që risollën në versionin film komedinë e suksesshme “Boeing Boeing”.
E ashtu si zakoni e do, premiera nisi me një event elegant që bëri edhe njëherë bashkë elitën e Tiranës. Të shumtë ishin personalitetet nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës që ishin të ftuar në festën e organizuar përpara shfaqjes së filmit. Dhe me siguri mund të themi se ambienti në sallë gumëzhinte nga të qeshurat e publikut që shijuan komedinë. Vetë Rudina ishte në krye të këtij projekti, ku edhe njëherë konfirmoi se është ndër artistet më të kompletuara në fushën e saj.