Covid-i në Indi rikthen një infeksion të rrezikshëm, mund të shkaktojë verbim
Një spital në kryeqytetin indian, New Delhi, epiqendër e koronavirusit, ka raportuar për rikthimin e rasteve me kërpudha të zeza te pacientët.
Ky lloj infeksioni është i rrezikshëm për shëndetin, sepse mund të shkaktojë humbje të të pamurit dhe mund t’i detyrojë mjekët që të ndërhyjnë me amputime në zonat e prekura të trupit.
Sipas mjekëve në New Delhi, pacientët që preken nga kërpudhat e zeza kanë shkallë të mbijetesës vetëm 50 për qind, shkruan Independent.
Rastet me kërpudha të zeza, të njohura me emrin shkencor si mukormykoza, po vërehen te më shumë pacientë për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19, thotë Dr. Atul Gogia nga sipitali “Sir Ganga Ram”.
Shtimi i rasteve me këtë infeksion të rrallë te pacientët me koronavirus u vërejt edhe vitin e kaluar, kur 12 raste të tilla u shënuan për vetëm 15 ditë.
Vetëm në këtë spital, në dy ditët e fundit janë shënuar gjashtë raste me kërpudha të zeza, ndërsa edhe spitalet tjera kanë raportuar për raste të tilla.
Mukormykoza është infeksion i rrallë por serioz kërpudhor, i cili mund të prekë çfarëdo pjese të trupit. Infeksioni zakonisht nuk i dëmton shumë pacientët me sistem të qëndrueshëm imunitar.
Kryesisht i prek trurin, sinuset ose sytë, por mund të gjendet edhe në pjesët tjera të trupit. Më së shumti i sulmon personat me funksion të dobët imunitar ose me nivel të lartë të sheqerit në gjak, thotë Dr. Gaurav Kumar.