Çfarë duhet të bëni nëse ju pickon një kandil deti
Nuk i kemi hyrë ende kërkimeve për të mësuar se për çfarë i shërbejnë natyrës kandilët e detit, por një gjë mund ta themi me siguri: Janë ndër krijesat më të bezdishme mbi sipërfaqen e rruzullit tokësor. Çfarë ndyrësire e vogël duhet të jesh të pickosh një njeri që është në qejfin e tij duke u larë në det e ta bësh të dalë me ulërima në breg si një çupëlinë e trembur? Nëse dikush pyet, kjo nuk isha unë!
Me siguri kujtdo prej jush i ka ndodhur njëherë në jetë të pickohet nga këto krijesa xhelatinoze dhe të ketë duruar me orë të tëra atë djegien e tmerrshme që duket se nuk ka gjë që e qetëson.
Por teksa këshillat më të zakonshme janë që në zonën e prekur nga tentakulat të aplikosh akull, ta shpëlash me ujë deti e madje ka dhe legjenda që duhet ta shpëlash me urinë (Oh Zot, mos!), në fakt zgjidhja qenka një tjetër.
Sipas mjekëve, për të qetësuar djegien e një pickimi kandili, zona e prekur duhet zhytur ose shpëlarë bollshëm me ujë të nxehtë, deri aty ku trupi mund të durojë dhe gjithashtu duhet të sigurohemi që ndonjë copëz tentakulë nuk ka mbetur e ngjitur në lëkurë. Nëse bëjmë këto dy veprime, supozohet që të kemi shpëtuar.
Megjithatë, ka dhe raste të reaksioneve alergjike të cilat janë shumë më serioze se një pickim i thjeshtë. Simptomat e një alergjie përfshijnë dhembje të forta, marrje mendsh, të përziera, mpirje të pjesshme etj. Në raste të tilla, nevojitet menjëherë ndihma e specializuar e një mjeku e po ashtu edhe në rastet e pickimeve në zona delikate, si përshembull në gojë, pasi enjtja mund të bllokojë rrugët e frymëmarrjes.